Përfiton Laçi, ekipi i Starovës në Europë!

Përfundimi i finales, të dielën në “Elbasan Arena”, nuk gëzoi vetëm skuadrën e Kukësit, e cila pasi triumfoi 2-1 ndaj bardhebluve të Tiranës, meritoi edhe trofeun e Kupës së 67-të të Shqipërisë.

Në mënyrë të tërthortë, e fituar doli edhe skuadra kurbinase e Laçit. Fitorja e Kupës nga Kukësi, ishte indirekt edhe një “dhuratë” për kurbinasit, të cilët, pavarësisht nga renditja, tashmë kanë në duart e tyre një biletë për pjesëmarrje në Europa League.

Të hënën, Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një konference për shtyp me shefin e liçensimeve, Eduart Gjini, zyrtarizoi edhe listën e klubeve shqiptare, që kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në kupat e Europës. Mbi bazën e kritereve të UEFA-s, pesë ishin klubet shqiptare që e kishin fituar këtë të drejtë: Partizani, Kukësi, Teuta, Skënderbeu dhe Laçi.

Duke qenë se skuadra korçare e Skënderbeut është e pezulluar nga UEFA dhe vendimi i CAS-it në Lozanë, me gjasa do të jepet më 21 qershor, automatikisht ekipi i Laçit përfiton biletën e katërt shqiptare të Europa League, pasi shorti i kësaj gare do të përcaktohet më 18 qershor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!