FSHF dënon dhunën…

Pas incidentit të dhunshëm, të ndodhur në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit gjatë ndeshjes Partizani – Flamurtari, ku u dhunua një zyrtar i klubit vlonjat, edhe organi më i lartë i futbollit shqiptar ka reaguar.

Ja dhe deklarata e plotë e FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit dënon me ashpërsi dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të klubit Flamurtari gjatë ndeshjes Partizani – Flamurtari të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Një ngjarje e tillë nuk ka aspak lidhje me lojën e futbollit dhe frymën “Fair Play” që duhet të përcjellin të gjithë. I bëjmë thirrje klubeve që të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të vendosin përpara ligjit agresorët, të cilët janë evidentuar nga pamjet filmike.

FSHF dhe zyrtari i klubit Flamurtari kanë dorëzuar kallzimin penal, tani është koha që Policia të veprojë. Situata dhe ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten më në stadiumet shqiptare.

FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, që dëmton dhe cënon imazhin e futbollit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!