Foda, kontratë 2 vjeçare me Dardanët

Italo-gjermani Franko Foda u prezantua të shtunën si trajneri më i ri i përfaqësuesës së Kosovës në futboll. 57 vjeçari ndërsa ka patur sukses te Sturm Grac (një titull dhe një Kupë) ka si pikë kulmore Kombëtaren e Austrisë të cilën e drejtoi nga nëntori i viti 2017 deri në mars të vitit 2022 duke dërguar austriakët deri në fazën e 1/16 të Kampionatit Europian.

FFK e ka zyrtarizuar dhe shkruar në faqen e saj zyrtare:

Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Kosovës. Është Franco Foda, ai, i cili do t’u prijë Dardanëve në dy vitet e ardhshme, teksa do ta nisë punën me ekipin në muajin e ardhshëm për dy ndeshjet miqësore kundër Armenisë dhe Hungarisë. Foda është prezantuar në një konferencë për media në hotel ‘Emerald’, teksa presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka theksuar se kanë vendosur për Fodan, pasi programi i trajnerit është përputhur me projektin e FFK-së.

“Urime festën dhe urime edhe trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajner i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat e rëndësishme. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe në fund ka vendosur të nënshkruajë me ne. Kontrata është dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futboll s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendosur dhe vjen me ekipin e tij. Ai do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!