Kombëtarja U15 e femrave merr pjesë në turneun “UEFA Development”

Kombëtarja e sapo krijuar e femrave U-15 do të zbresë menjëherë në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjet e para.

Stafi i ekipit kombëtar zhvilloi dy ditë më parë një seleksionim një ditor në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ku rreth 27 futbolliste u stërvitën dhe patën mundësi të tregonin nga afër cilësitë e tyre.

Pas këtij seleksionimi, stafi kuqezi me në krye trajnerin Kreshnik Krepi do t’i duhet të përzgjedhë 20 futbolliste që do të përfaqësojnë Shqipërinë në turneun zhvillimor për këtë grupmoshë në Bosnje – Hercegovinë, në datat 5-11 shtator.

Në këtë turne, Shqipëria U-15 do të përballet me Slloveninë, Luksemburgun dhe ekipin pritës të turneut, Bosnje-Hercegovinën.

Ekipi i vajzave kuqezi do të nisë grumbullimin ditën e mërkurë, më 1 shtator në Shkodër. Nën drejtimin e trajnerit Krepi dhe stafit kuqezi, skuadra do të ketë mundësi të zhvillojë edhe seancat përgatitore, deri më 4 shtator kur do të niset drejt Sarajevës.

Turneu do të nisë më 6 shtator, me Shqipërinë që do të zhvillojë ndeshjen e parë dhe historike ndaj Luksemburgut në ora 16:00. Përballjet e dyta të turneut do të zhvillohen më 8 shtator, me sfidën Shqipëri – Slloveni që do të luhet në ora 12:00.

Sfidat e fundit në grup do të luhen më 11 shtator, me vajzat kuqezi që do të përballen me skuadrën pritëse në ora 10:00 ndërsa Kosova do të luajë ndaj Malit të Zi në ora 12:00.

Në ditët në vijim do të bëhet e ditur edhe lista e lojtareve të grumbulluara nga trajneri Kreshnik Krepi për këtë turne./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!