Vllaznia pret kthesën, supersfida Dinamo-Egnatia mbyll javën

Vllaznia- Bylis dhe Dinamo Siti- Egnatia janë dy ndeshjet e fundit të javës së 16-të të Abissnet Superiore në axhendë këtë pasdite.

Vllaznia-Bylis (16:30)

Në stadiumin “Loro Boriçi”, shkodranët në krizë rezultati prej 4 javësh (dy barazime dhe dy humbje), luajnë në orën 16:30 përballë mallakastriotëve të Bylis.

Mungesë e madhe ajo e Elmando Gjinit në qëndër të mbrojtjes. Edhe skuadra e Mirel Josës po kalon momentin më kritik sezonal. Pas fitores në “Selman Stërmasi” me Tiranën 0-2, Bylis numëron 5 takime mes 2 barazimëve dhe 3 humbjeve duke rrëshqitur te zona e kuqe me vetëm 14 pikë.

Dinamo- Egnatia 19:00 (në Air Albania)

Ndërkohë në orën 19:00 në “Air Albania Stadium” dueli epik Dinamo- Egnatia. Ndeshja pritet të prodhojë lojë e garantojë spektakël për të pranishmit pasi dy skuadrat fituese të edicionit të kaluar; Kupë (Dinamo) dhe titull kampion (Egnatia), kanë treguar se dinë të performojnë me autoritet e shifra.

Te blutë e Dajës siguria rritet edhe më shumë sepse hiq mbrojtësin Aliji (operuar) të gjithë të tjerët do të jenë në dispozicion. Dinamo vjen pas dy rezultateve super pozitive. Fitoret 6-2 ndaj Tiranës dhe 0-3 përballë Flamurtarit në Vlorë e kanë kthyer skuadrën kryeqytetase në makinë të vërtetë goli.

Në kahun tjetër Egnatia. Ndonëse me skuadrat e zonës ‘Final Four’ nuk ka shkëlqyer (barazuar e humbur me Elbasanin e Vllazninë dhe barazuar në fazën e parë me Dinamon), pikët i ka për të qënë e dyta pas kësaj jave të 16-të.

Mjafton të mos humbë me Dinamon. Nëse fiton afrohet me një pikë me Elbasanin kryesues. Te kampi i tyre mungesa e vetme në këtë transfertë lidhet me mbrojtësin Edison Ndreca (pezulluar për kartonë).

Sakaq në Kategori të Parë ka vetëm një takim të javës së 16-të e cila luajti pesë takime dje. Sot në “Roza Haxhiu” (13:30) ndeshja Lushnja- Besa./Erga Kenga/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!