Partizani pret Flamurtarin, Vora pritëse në Elbasan, Tirana gjithnjë në alarm
Nis këtë pasdite java e 16-të Abissnet Superiore. Ajo luhet në dy ditë (sot dhe nesër) me kryesfidën e ditës së dielës Dinamo Siti- Egnatia e cila zhvillohet në orën 19:00 në “Air Albania Stadium”. Ndërkohë sot në orën 16:30 dy duelet e para.
Në “Arena e Demave”, Partizani i ngjitur në “ashensor” këto javë të fundit, do të presë Flamurtarin e vendit të parafundit ku pikët për të dyja skuadrat janë të domosdoshme. Të kuqtë e Kërnajës teksa fituan tre ndeshje dhe barazuan dy në pesë javë radhazi, janë duke progresuar drejt zonës ‘Final Four’ ndërsa kuqezinjtë e Morieros pas hapit fals në shtëpi me Dinamon 0-3, kërkojnë të kthehen te shifrat pozitivë arritur me Morieron në timon.
Ndërkaq po në 16:30 takimi Vora- AF Elbasani. Ndeshja zhvillohet në fushën e verdhebluve (impianti i Vorës ende nuk është gati) dhe ky fakt mund të favorizojë ndjeshëm elbasanasit e Gvozdenoviç për të ruajtur vendin e parë në klasifikim.
Kjo ditë e futbollit elitar mbyllet me sfidën e orës 19:30 në program për t’u zhvilluar në “Niko Dovana” të Durësit. Teuta e ‘shënetëshme’ do të takohet me Tiranën më problematike sezonale. Bardheblutë jo vetëm që janë të fundit me vetëm 7 pikë por skuadra e Nuhiut do të vuajë largimet apo pezullimet e futbollistëve të caktuar mes tyre Soler, Dembele, Valerianos e Fernandez të cilët pritet të jenë në tribunë ose në listën rezervë. /Erga Kenga/
Java e 16-të Abissnet Superiore
Sot, e shtunë 13 dhjetor 2025
Partizani-Flamurtari 16:30
Vora- AF Elbasani (në Elbasan) 16:30
Teuta- Tirana 19:30
Të dielën:
Vllaznia- Bylis 16:30
Dinamo- Egnatia (Air Albania”) 19:00
