Flamurtari i Morieros del nga zona e rrëzimit, Vora ndal Vllazninë në Shkodër
Abissnet Superiore, java e 14-të:
Vora- Vllaznia 0-0
Egnatia- Flamurtari 0-1 (Ramirez 36′)
Vora bën mirë si zot shtëpie në Shkodër. Përballë Vllaznisë tashmë prej javësh në krizë, arriti të mbajë shifrat e barabartë 0-0 duke dëshmuar se stabiliteti i skuadrës së Arjan Bellait nuk është më rastësi.
Në pjesën e dytë skuadra e periferisë së Tiranës pati dy mundësi me Dakën por dhe Kasallën për të shënuar. Ndërkohë Vllaznia edhe pse kreu më shumë volum loje, nuk arriti asnjë çast të kalonte portierin e Vorës, Ruçi.
Mungesa e qartësisë në finalizim e shoqëruar me mungesë përqëndrimi në momente të caktuara e lanë Vllazninë pa kapur kreun pas kësaj jave të 14-të.
Në Rrogozhinë, Egnatia e cila sot u drejtua nga Julian Brahja për shkak se trajneri i parë ka kaluar një ndërhyrje në zemër, nuk bindi dhe aq. Vendasit patën përballë Flamurtarin e Françesko Morieros me italianin që po e rrit gradualisht skuadrën që mori pak javë më parë.
Një gol i Ramirez në minutën e 36′ të pjesës së parë mbeti i pandryshuar deri në fund duke i dhënë oksigjen vlonjatëve, tashmë për herë të parë gjatë kampionatit në vendin e tetë./Klevis Bejkolli/
