Realitet/ Fëmijët e Luginës së Preshevës pajisen me bazë materiale falë projektit të FSHF-së, “Uniforma ime”

Një premtim që u kthye shpejt në realitet. Pas miratimit të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në mbledhjen e fundit, për të përfshirë fëmijët e Luginës së Preshevës në projektet “Uniforma ime” dhe “Topi Yt”, një delegacion shqiptar udhëtoi drejt kësaj treve për të bërë realitet ëndrrën e dhjetëra fëmijëve shqiptarë dhe për të vijuar mbështetjen e tyre.

Delegacioni shqiptar i përbërë nga Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Andi Zëre, Drejtor i Futbollit Bazë në FSHF, dhe Migjen Basha, ish-futbollist i Kombëtares, ishte i pranishëm në këtë aktivitet emocionues së bashku me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, përfaqësues të tjerë të futbollit në Preshevë, si edhe prindër e dhjëtera vogelushë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë.

Në total, 213 fëmijë të moshave U-9 dhe U-11 u regjistruan në sistemin Comet, platforma zyrtare ku regjistrohen të gjithë futbollistët shqiptarë. Po aq sete uniformash mbërritën në Preshevë dhe u dhuruan falas nga FSHF. Këto uniforma janë pjesë e një nisme më të gjerë, që këtë sezon, për të tretin radhazi do t’u mundësojë bazë materiale falas rreth 20 mijë fëmijëve futbollistë, nga mosha U-7 deri në U-19 në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu, u dhuruan topa falas edhe për 15 ekipe fëmijësh në këtë zonë, në kuadër të projektit “Topi Yt”./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!