Investimi i FSHF e Bashkisë Durrës / Duka dhe Sako inspektojnë punimet në fushën e re të shkollës “Benardina Qerraxhia”
Fusha e re e futbollit pranë shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Benardina Qerraxhia” në Durrës po përfundon në kohë rekord si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë së Durrësit.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako inspektuan sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë projekt të rëndësishëm që do të shërbejë për stërvitjen e fëmijëve të akademisë “Elite Youth” të FSHF-së, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e talenteve të reja të futbollit shqiptar.
Fusha është ndërtuar me tapet artificial modern, ndërsa FSHF ka marrë përsipër shtrimin e tapetit, drenazhimin, vendosjen e portave, rrethimin e fushës dhe instalimin e sistemit të ndriçimit. Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit ka financuar ndërtimin e bazamentit të fushës.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka falënderoi kryetaren e Bashkisë për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e futbollit dhe edukimin e fëmijëve përmes sportit.
“Kryetare, unë dua të falënderoj ty për bashkëpunimin e shkëlqyer në këtë projekt shumë të rëndësishëm për futbollin kombëtar në përgjithësi. Ndërtimin e kësaj akademie pothuajse unikale në Europë me tre grup-mosha fëmijësh, por jo vetëm juve, edhe Ministrinë e Arsimit, sepse është rasti më i mirë i një bashkimi të të gjitha forcave për të mirën e fëmijëve, për edukimin e tyre.
Jam shumë i bindur që me ndërtimin e fushës, që është bashkëfinancim i joni, dhe me kushtet që ka të përmirësuara në shkollë, fëmijët do të jenë të kënaqur. Do ta ushtrojnë më mirë pasionin e tyre, do të mësojnë më mirë dhe do të bëhen futbollistë më të mirë.
Kjo shkollë është në Durrës, por është një shkollë kombëtare, sepse këtu janë mbledhur talentet më të mirë të Shqipërisë për t’u stërvitur bashkë dhe, në një lloj mënyre, të tre ekipet kombëtare të këtyre moshave janë këtu, do të vazhdojnë të stërviten në këtë fushë dhe do të edukohen këtu./FSHF/
