Humbje e madhe për futbollin elbasanas, ndahet nga jeta mjeku, Zihni Bordi

Nga Fatmir Popja

Familja e futbollit elbasanas është sot në zi. Një nga figurat më të dashura dhe të respektuara të këtij komuniteti, mjeku i ekipit të futbollit verdh e blu, Zihni Bordi, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare.
Për dekada me radhë, Zihni Bordi shërbeu me përkushtim të palodhur dhe profesionalizëm shembullor si mjek i ekipit të futbollit të Elbasanit.

Në vitin 1983 Zihni Bordi u afrua te ky klub futbolli dhe për afro 40 vite përjetoi gjithçka në futboll, dy tituj kampion Superlige, Kupë Shqipërie, rëniet në Kategorinë e Parë, si edhe degradimin në të Dytën.Ai nuk ishte thjesht pjesë e stafit teknik, por një shtyllë morale dhe njerëzore për breza të tërë futbollistësh, trajnerësh dhe punonjësish të klubit.

Mjeku Bordi kujtohet nga të gjithë si një njeri i thjeshtë, i përulur dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. Me fjalën e mirë dhe dorën e ngrohtë, ai qëndronte pranë sportistëve si në ditët e lavdisë, ashtu edhe në momentet e vështira ,një figurë që përfaqësonte me dinjitet shpirtin e ekipit dhe të qytetit.

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan nëpërmjet një komunikate zyrtare i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Bordi, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Kujtimi i Zihni Bordit do të mbetet gjithmonë i gjallë në memorien e futbollit elbasanas si mjek i ekipit të futbollit , si njeri dhe si pjesë e historisë së këtij sporti në qytetin e Elbasanit.

Redaksia e Sportiim.al, i përcjell ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit Bordi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!