Epilogu mban ‘peng’ Europën dhe fundin, Superioria jep sot verdiktet

Ditë vendimtare për 10-të skuadrat e Abissnet Superiore 2024/2025. Në epilogun e kampionatit të 86-të të futbollit, sot me fillim orën 15:30, zhvillohet java e 36-të e nivelit më të lartë futbollistik në Shqipëri për klube.
Zona ‘Final Four’ pas Egnatias, Vllaznisë dhe Dinamos pret të konfirmojë biletën e fundit të saj. Partizani apo AF Elbasani ? Të kuqtë e kanë detyrim fitoren ndërsa verdheblutë kalojnë edhe me barazim. Për kapriço të kalendarit kjo xhiro i përball të dyja në Kompleksin ‘Partizani’. Shkurt një finale…europe.
Ndërkohë betejë e pamëshirshme në fundin e tabelës. Skënderbeu- Bylis një tjetër finale me korçarët pritës. Skuadra e Gjokës për të evituar çdo rezultat që mund të vijë nga fusha ku luajnë rivalët për qëndrim, lipset të fitojnë. Bylis mjaftohet me një pikë.
Situatë e brishtë në takimin e Rrogozhinës aty ku Dinamo Siti pret Tiranën. Bardheblutë e kanë jetike fitoren për të shkuar në play out ndrësa Dinamo kërkon të mbetet te dy vendet e para për avantazhin që të dhuron gjysmëfinalja e ‘Final Four’ (i mjafton një barazim për të prekur finalen për titull).
Pak a shumë analogji edhe në duelin Vllaznia- Laçi. Vendasit për t’u konfirmuar një nga dy forcat e para, Laçi me pakëz shpresë te fitorja e kombinuar me ndeshjet e tjera që lidhen me fatet e tyre.
Në Durrës, Teuta- Egnatia ndeshja e qetësisë…. Vendasit kanë siguruar kategorinë teksa rrogozhinasit duan një pikë për vendin e parë absolut.
Sakaq ka edhe një garë për ‘Këpucën e Artë’. Balaj (16), Lushkja (14) apo një tjetër? Të gjitha verdiktet janë aty…
Abissnet Superiore, java e 36-të 2024/2025
Sot, ora 15:30:
Partizani- AF Elbasani
Vllaznia- Laçi
Skënderbeu- Bylis
Teuta- Egnatia
Dinamo- Tirana (në Rrogozhinë)/Sportiim.al/