Shqipëria e nis nga ‘Wembley’, Silvinjos i ndalohen gabimet e Gjermanisë

Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë aventurën e kualifikuesëve të Grupit K këtë të premte. Ato vlejnë për një biletë në Botërorin 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Dhe që në start ndeshja më e vështirë në grupin me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Kuqezinjtë e Silvinjos do të fluturojnë nesër drejt Londrës teksa të premten në orën 20:45 do të zbresin në ‘Wembley’ për t’u matur me “Tre Luanët” që për herë të parë do të drejtohen nga gjermani Tomas Tuhel.

Përtej interesimit të madh të tifozëve kuqezinj, në fushë, formacioni kuqezi duhet t’i bëjë mirë llogartitë. Përballë do të ketë emra të tillë si Belingam, Rajs, Foden, Kejn, Palmer e deri te portieri Pikford.

Si të mos trembin emra të tillë skuadra shqiptare në këtë start të fushatës kualifikuese duket se nuk vjen në momentin më të mirë. Zgjedhjet e Silvinjos por dhe mungesat e detyruara si Mario Mitaj e Mirlind Daku, ulin goxha efektivitetin e grupit kuqezi. Së paku në ‘letër’.

Porta nuk ka një lider, mbrojtja ndjen mungesën e Mitajt në të majtë dhe mesfusha veç Qazim Laçit që po kalon superformë, nuk ka “minuta” për një duel të tillë. Asllani në ndeshjen e fundit luajti vetëm një minutë me Interin por dhe Ramadani është kushtëzuar së fundi nga trajneri i tij te Leçe duke luajtur jo në 90 minuta.

Në sulm, situata mbetet po e njëjtë. Jasir Asani premton nga e djathta pasi anësori kuqezi realizoi dy gola në Champions-in e Azisë me Guangju duke e kualifikuar më tej. Në kahun tjetër Bajrami edhe pse gëzon formë të mirë te Rejnxhers, në derbin e fundit me Selltik, nuk u preferua. Në majë Broja ka vetëm 11 minuta me Everton në këtë rikthim të tij nga dëmtimi dy mujor.

Thjesht Silvinjo do duhet të nxjerrë më të mirën nga ky grup për të tentuar ndonjë surprizë londineze./Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!