Tirana “shtrin” Laçin, Elbasani ngel në “klasë”
Tirana-Laçi 4-1 (Kola 5′, Zharmuni 53′, Ernest 74′, A. Ndreca 88′ / Traore 12′)
AF Elbasani- Skënderbeu 0-0
U zhvilluan këtë pasdite dy ndeshjet e mbetura të javës së 28 Abissnet Superiore.
Në “Niko Dovana” skuadra e Tiranës mposhti 4-1 Laçin duke parakaluar në tabelë Teutën e marrë vendin e tetë. Një duel me dy tabllo. Bardheblutë e nisën me vrull teksa në minutën e 5-të Kola me kokë kaloi përpara kryeqytetasit.
Reagimi i kurbinasëve ishte i shpejtë dhe në minutën e 12-të Traore pas një gabimi në prapavijë të Tiranës, barazon 1-1.
Në pjesën e dytë 26 herë kampionët e vendit diktuan që në fillim teksa në minutën e 53′ Ualid Zharmuni në duel një për një me Opeh i fton kohën dhe nga brenda zonës depoziton për 2-1. Me kalimin e minutave u duk sikur bardhezinjtë do të realizonin por kjo ngjau në kahun tjetër.
Ishte minuta e 74′ ndërsa një gabim i dyfishtë në mbrojtje i Laçit prodhon golin e tretë të Tiranës me Ernest. Për të mbyllur llogaritë mendon Akileu Ndreca në të 88′ për të vulour shifrat në 4-1.
Sakaq në Elbasan verdheblutë nuk shkuan më shumë se barazimi (0-0) me Skënderbeun. Ndonëse Elbasani i’u afrua disa herë golit, shtylla dhe në penallti e humbur nga Emiljano Musta në të 77′, lanë gjithçka të barabartë.
Një pikë që i vlen më shumë korçarëve të cilët për shumë minuta luajtën me një futbollist më pak. Në minutën e 58′ Dumfur u dëbua nga fusha.
Pas këtij barazimi elbasanasit zbehin ndjeshëm mundësinë për t’u afruar me zonën Final Four’…/Sportiim.al/
