Vllaznia e karikuar, Elbasani shton radhët para çerekfinales së Kupës
Një biletë për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të kërkojnë Vllaznia dhe AF Elbasani në duelin e kthimit mes tyre të martën në orën 17:00.
Dy skuadrat barazuan të premten në kampionat 1-1ndërsa nesër për Kupë nisen nga barazimi i ndeshjes së parë 0-0. Shkodranët e kanë objektiv madhor këtë kompeticion ndaj pritet që në “Loro Boriçi” kuqeblutë të shkarkojnë të gjitha bateritë për të marrë kualifikimin për në gjysmëfinale.
E njëjta gjë predikohet edhe te kampi elbasanas. Aq më tepër që verdheblutë e shohin vetën 9 pikë larg zonës “Final Four” në kampionat duke besuar se rruga në Europë kalon në një mënyrë edhe nga Kupa.
Ndërkaq klubi i Elbasanit zyrtarizoi sot senegalezin 21 vjeçar Ibrahima Diallo. Një futbollist më shumë në dispozicion të Gvozdenoviç.
