Egnatia, drejt gjysmëfinales, Laçi -Partizani pa gola

Kupa e Shqipërisë, çerekfinale:
Laçi – Partizani 0-0
Bylis – Egnatia 1-3 (Ruçi 68’/ Ujka 25’, Votlai 36’, Kasa 67’)
Janë luajtur ndeshjet e para të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Partizanit si dhe mes Bylisit dhe Egnatias. Me llogari te mbyllura duket sfida e zhvilluar në “Adush Muça” ndërsa ajo e Laçit duket se e lë verdiktin për takimin e kthimit.
Kurbinasit luajnë të plotë vetëm 19 minutat e para teksa kartoni i kuq i Prodanit prish ekuilibrat në fushë por nuk ndalon vendasit të krijojnë dhe të “trembin” të kuqtë e Partizanit, dominues kryesisht në pjesën e parë dhe fillimin e së dytës. Një ndeshje pa shumë histori që lë gjithçka të hapur për kthimin pas tre javëve.
Sakaq, në Ballsh nuk mungojnë golat me Ujkën, Votlain dhe Kasën që e dërgojnë Egnatian me një këmbë në gjysmëfinale e me Flamur Ruçin që thjesht ngushton shifrat duke shënuar golin e nderit.
Akti i parë i turit çerekfinal të Kupës do të vijojë në orën 17:00 me sfidën AF Elbasani – Vllaznia dhe do të mbyllet po në Elbasan ditën e nesërme me përballjen Dinamo Siti – Skënderbeu po në 17:00./Sara Gjidiaj/