Elbasani shansi i radhës, Laçi humb kapitenin

Në “Elbasan Arena” përballja AF Elbasani- Laçi (17:00) për raundin e 22-të në Superiore, edicioni 2024/2025. Duel mjaft vendimtar me dy skuadrat që pikët i kanë domosdoshmëri të momentit.
Verdheblutë pasi humbën shansin javën e kaluar për t’u afruar me zonën ‘Final Four’ (humbën me Dinamon 3-1), sot në orën 17:00 do të kërkojnë tri pikë ndaj kurbinasëve në shtëpi.
Ndërkohë përmirësohet situata me sulmuesin Arsen Lleshi por dhe sot ai pritet të jetë i padisponueshëm. Për Gvozdenoviç, pritet të jenë të gatshëm dy të dëmtuarit e tjerë Ze Gomesh dhe Xhonatan Lajthia.
Nga ana e tyre bardhezinjtë e Morieros e shohin këtë transfertë si mjaft delikate për fatet e tyre te zona e fundit të tabelës. Laçi vuajti 5 mungesa javën e 21-të ndërsa sot italiani do të ketë rikthime me peshë. Mes tyre dhe braziliani Ulliam Kordiero Melo për të cilin klubi pagoi për ta patur në organikë (dënuar me 4 ndeshje nga Disiplina, shleu gjysmën).
Problemi i madh i tyre ka emrin Kleandro Lleshi, me kapitenin që rezulton i dëmtuar dhe rrezikon afro një muaj larg grupit. Disi konfuze situata me Altin Kryeziun pasi kosovari nuk ka frekuentuar sistematikisht seancat e fundit./Sportiim.al/