Nevill mbron Zirkze-n dhe sulmon: Junajtid skuadra më e dobët në Premier
“Errësirë dhe vetëm errësirë” për një nga klubet legjendare të Anglisë. Mançester Junajtid u mund dje nga Njukasëll 0-2 në ‘Old Trafford’, në ndeshjen e 19 të Premier League duke irritur jo vetëm tifozët por dhe trajnerin Amorim apo legjendat e tij.
Nga studio e Sky Sports, Geri Nevill, një ish-futbollist që luajti të gjithë karrierën e tij te ‘Djajtë’, dha alarmin pas takimit për gjëndjen ku ndodhet Junajtid.
Pasi ‘qortoi’ tifozët që vërshëllyen sulmuesin holandez Zirkze teksa doli nga fusha në minutën e 33’-të teksa shifrat ishin 0-2, Nevill u përqëndrua te ajo që po servir ish skuadra e tij.
Nevill ndër të tjera:
“Në fakt më vjen keq për të, po ( i referohet sulmuesit). E di që ai bën shumë para, por brenda është njeri. Dhe tallen me të. Është absolutisht brutale. Nuk e kam parë këtë shumë herë në Old Trafford.
Ai shkon drejt e poshtë tunelit dhe unë nuk e fajësoj atë sepse ndonjëherë është një turp i madh. Nuk luajti mirë, le të jemi të qartë. Pavarësisht, ju jeni duke parë ekipin më të keq të futbollit në vend.”
