Çela: Superkupa thjesht një finale, kemi entuziazëm

Në kushte të tjera Superkupa për Kukësin do të ishte dueli i radhës për ta fituar. Sot ndaj Egnatias në 19:00 në ‘Arena Kombëtare’ duket se do të jetë ndryshe. Verilindorët janë në Kategori të Parë ndërsa Egnatia vijon të jetë violinë e parë në Superiore.

Megjithatë trajneri Çela beson se të tijtë do të imponohen për të bërë të pamundurën.

Çela:

Si e pret Kukësi finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Egnatias? Jemi të qetë, ka entuziazëm dhe dëshirë në skuadër për të bërë diçka të mirë. Me përjashtim të Lalës, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm.

Diferencat në letër duken të mëdha, keni besim se skuadra juaj mund të bëjë surprizën? Nëse do të japim maksimumin, sakrifikojmë, luftojmë dhe vrapojmë shumë, jam i sigurt që diferencat në cilësi do të zbehen dukshëm. Është një ndeshje finale dhe çdo gjë mund të ndodhë. Le të ëndërrojmë dhe shpresojmë.

Çfarë mund të ketë Kukësi një faktor plus në këtë ndeshje, në krahasim me Egnatian? Mosha e re e lojtarëve ka minuset dhe pluset e veta. Mund të kemi diçka mangët në eksperiencë dhe në përjetimin e të tilla ndeshjeve emocionalisht, por jam i sigurt që do të kemi më shumë dëshirë dhe entuziazëm në fushë.

A është e vështirë për ta përgatitur një finale si kjo? E vetmja vështirësi në një finale është përzgjedhja e lojtarëve. Është një ndeshje që duan ta luajnë të gjithë, kështu që është një vendimmarrje e vështirë për mua, bashkë me stafin tim.

Pavarësisht se si shkon finalja, çfarë përfitojnë lojtarët e Kukësit nga kjo ndeshje? Përfitojnë pjesëmarrjen. Pjesëmarrja në këto ndeshje është përgjigjja për çdo pyetje që ne i bëjmë vetes pse e kemi kaq shumë pasion këtë punë, apo përse punojmë çdo ditë me të njëjtën dëshirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!