Brenga e hershme, Bogdani ‘vesh’ Sopotin

Nga Haxhi Balliu
Bedri Bogdani është një nga fëmijët e familjes Bogdani nga Rrajca që në vitin në 1975 arriti të kalonte kufirin në një natë të ftohtë dimri dhe të arratisej nga Shqipëria, drejt Beogradit e më pas u vendosën në Bruksel.
Si i ri që ishte, Bedriu kishte pasion futbollin, një hob të cilin nuk pati fat ta provonte në vendin e tij dhe aktivizohet në ekipe të ligës amatore në Bruksel për disa vite me radhë.
Dhe më pas pasionin për futbollin ua trashëgoi fëmijëve të tij; djali dhe vajza u bënë futbollistë me ekipe amatore në Bruksel.
Por edhe pse kanë kaluar shumë vite nga largimi në Belgjikë një “brengë” e vjetër duket se e shqetësonte Bedri Bogdanin për Librazhdin dhe vendlindjen e tij.
Ideja për të mbështetur klubin e futbollit Sopoti u bë realitet duke i dhuruar këtij klubi uniforma sportive për të tretën herë në një hark kohor prej dy vitesh. Disa ditë më parë klubit iu dorëzuan 47 uniforma sportive nga të cilat 32 palë për ekipin e futbollit dhe 15 të tjera për ekipin e volejbollit të femrave.
Kujtojmë se më parë një gjë të tillë, Bedriu e kishte bërë edhe për ekipin e futbollit ”Domosdova” të Prrenjasit por duke qenë se ky ekip tashmë është shkrirë, ai vendosi që të ndihmonte klubin librazhdas të Sopotit.
Një gjest i tillë bamirësie nga ana e Bedri Bogdanit është vlerësuar nga ana e drejtuesve të klubit Sopoti, i cili këtë sezon synon ngjitjen në Kategosinë e Parë.
