Laçi humbet penalltinë e parë sezonale, Lushkja e realizon për Egnatian
Java e 17-të Abissnet Superiore mori udhë nga Laçi dhe Rrogozhina aty ku u prodhua një barazim pa gola dhe një fitore minimale falë një 11-metërshi.
Laçi – Dinamo u mbyll me rrjeta të paprekura në një terren disi të rënduar për shkak të rreshjeve të shiut. Përballja dhuroi emocione dhe raste për të dyja ekipet me kurbinasit që “qajnë” penalltinë e humbur të Melos në pjesën e dytë. Dominimi i vendasve ishte i dukshëm, teksa rastet më flagrante i shpërdoruan miqtë.
Sakaq, në Rrogozhinë vendosi një 11-metërsh i ekzekutuar saktë nga Regi Lushkja, ndërsa në dëm të korçarëve u dha dhe një karton i kuq për Dokën pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Ndrecës.
Klasifikimi momentalisht sheh në krye Egnatian me 30 pikë, Dinamon në vendin e tretë me 28 pikë, Laçi i teti me 17 pikë dhe Skënderbeu një pozicion më poshtë me 14 të tilla.
Abissnet Superiore, Java XVII:
Laçi – Dinamo City 0-0
Egnatia – Skënderbeu 1-0 (Lushkja 50’ pen)