Rrezikohet kualifikimi në Botëror, Australia shkarkon trajnerin Arnold
Football Australia njoftoi të premten se Graham Arnold do të largohet nga posti i trajnerit të ekipit kombëtar të meshkujve në mes të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Organi drejtues njoftoi se Arnold do të “largohet menjëherë” nga roli i tij si teknik i ‘kangurëve’. Kërkimi për zëvendësuesin e tij është në nivel intensiv.
Skuadra e meshkujve e Australisë, me nofkën “Socceroos”, pësoi një humbje shokuese në shtëpi ndaj Bahreinit këtë muaj, duke vënë në rrezik shpresat e tyre për kualifikimin e drejtpërdrejtë të Kupës së Botës dhe pozicioni i tyre u përkeqësua më tej nga një barazim me Indonezinë. Pas dy xhirove, Australia është në vendin e pestë në Grupin C me një pikë dhe më keq është vetëm Kina e cila nuk ka pikë.
Në tetor Australia do të luajnë kundër Kinës dhe Japonisë, kryesuese në grup me gjashtë pikë maksimale.
Arnold ka qenë në krye të kombëtares australiane që nga gushti 2018, duke pasur gjithashtu rolin e trajnerit të përkohshëm në periudhën nga 2006 deri në 2007.
Largimi i Graham Arnold shënon fundin e një epoke për futbollin australian, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Australisë, Xhejms Xhonson.
Australia është kualifikuar në pesë Botërorët e fundit radhazi, dhe në vitin 2022 në Katar, shkoi deri në fazën eliminatore (për herë të dytë në histori), ku u eliminua në raundin e 16-të nga kampionet e botës, Argjentina.