Partizani- Dinamo, Daja debuton me blutë, Elbasani pret Laçin
Partizani- Dinamo Siti dhe AF Elbasani janë dy duelet e fundit të javës së 4 në program sot në orën 19:00.
Të kuqtë me Aleksandar Veselinoviç në debutim javën e kaluar, fituan 0-2 ndaj Teutës në Durrës ndërsa sot përballen me Dinamon e cila edhe ajo sot do të njohë debutimin e Ilir Dajës në timon.
Te të dy kampet kontigjenti duket i plotë. Sidoqoftë Partizani ka dilema për lojtarin nga Vushtrria Adnard Mehmeti teksa rivali i përforcuar me emra të spikatur gjatë verës nuk do mund të ketë mesfushorin Bakari Gudiabi (pezulluar me 1 ndeshje nga Disiplina). Probleme të vogla fizike edhe Qefalija, Qardaku, Nanai dhe Toli.
Ndërkohë në ‘Elbasan Arena’ po në orën 19:00, AF Elbasani takohet me Laçin. Verdheblutë pasi nisën mirë me një barazim me Skënderbeun dhe një fitore bindëse me Teutën befas u thyen në Elbasan nga Dinamo 2-1 (ishte udhëtues).
Nga ana tjetër kurbinasit pavarësisht lëvizjeve të shumëta në hyrje e kanë nisur shumë keq sezonin duke koleksionar vetëm dy pikë në tri ndeshje. Te vendasit Ardit Hila nuk është gati për teknikun Bordin teksa te bardhezinjtë, alternativat janë të plota.