Çela rimerr Kukësin, në krah Kuli
Emiljano Çela rikthehet te Kukësi. Ai merr vendin e Ilir Spahiut i cili e drejtoi ekipin verilindor në dy ndeshjet e para në Kategori të Parë. Për tepelenasin ky përbën një rikthim pasi Çela e ka drejtuar Kukësin edhe sezonin e kaluar (Superiore) në tri javë.
Ndërkohë sikundër kohë më parë te Kastrioti, Emiljano Çela do të ketë si ndihmës kavajasin Bekim Kuli.
Klubi e njoftoi lëvizjen të martën në rjete sociale.
Futboll Klub Kukësi njofton se Emiljano Çela do të jetë trajneri i ri i skuadrës sonë! Drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshje me trajnerin, i cili rikthehet në Kukës pas eksperiencës gjatë sezonit të shkuar.
Në staf me Emiljano Çelën, do të jetë edhe Bekim Kuli në rolin e ndihmës trajnerit si edhe Ervis Koci në rolin e trajnerit të portierëve. Prezantimi i Çelës para mediave do të bëhet ditën e sotme në orën 16:00 në ambientet e stadiumit “Kukës Arena”.
Klubi i Kukësit mirëpret Çelën në krye të stolit dhe njëkohësisht i uron suksese trajnerit dhe stafit të ri teknik!