Asllani: Besoj te fitorja ndaj Gjeorgjisë
Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani, ishte i pranishëm ditën e sotme në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Silvinjo, në prag të duelit ndaj Gjeorgjisë, që Shqipëria do të luajë ditën e martë.
Mesfushori kuqezi deklaroi se Shqipëria do ta respektojë kundërshtarin dhe nuk e ka aspak frikë, ndërsa e vlerëson për rritjen e madhe që ka pësuar si skuadër.
Ndeshja kundër Gjeorgjisë nesër – Të dy skuadrat vijnë nga një fitore. Gjeorgjia ka marrë një fitore të thellë, por ne do ta respektojmë kundërshtarin. Nuk do të kemi frikë, do të kemi një stadium plot me tifozë, i falënderoj. Gjeorgjia është një ekip i madh, po rritet. E kemi parë në Europian dhe tani. Ndeshja me Ukrainën ka mbaruar, shpresoj dhe besoj të bëjmë pikë nesër.
A është krijuar uniteti në mesfushë? – Jemi shumë mesfushorë. Të gjithë e dimë punën tonë. Është e vërtetë që kemi luajtur unë dhe Ramadani, por unë gjendem mirë me të gjithë lojtarët. Objektivi ynë është vetëm skuadra dhe mendojmë vetëm të bëjmë pikë për Kombëtaren, tifozët dhe për të gjithë ne shqiptarët.
Pozicioni aktual – Kam luajtur disa herë përpara mbrojtjes. Është roli im, si 6-sh. Por këtu bëj një rol tjeter, luaj pak më përpara sepse në atë rol luan Ramadani. Por kjo nuk do të thotë gjë. Jam rritur në fazë ofensive, por objektivi im është që të punoj për ekipin, të jap sa më shumë. Futbolli është bërë shumë fizik dhe duhet t’i bësh të dyja fazat.
Ndeshja e parë si titullar e Asllanit me Gjeorgjinë në 2022 – Kanë kaluar dy vite, por ky viti i fundit ka qenë shumë i mirë për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët me pjesëmarrjen në Europian. Besoj se kemi bërë mirë, e kemi rritur nivelin e Kombëtares. Tani kemi një grup të fortë, kemi ndeshje të forta dhe duhet të vazhdojmë ta rrisim nivelin e kombëtares.
Diskutimi me Manajn në ndeshjen kundër Ukrainës – Me Manaj jemi shumë shokë, kemi bërë shaka. Ato gjëra mbeten në fushë, jemi futbollistë profesionistë. I kërkova falje, të gjithë duam të bëjmë gola. Por e rëndësishme është që fituam ndeshjen. Rey është sulmues, donte të bënte gol, kishte bërë një super ndeshje. E kemi harruar, tani mendojmë ndeshjen nesër.
Objektivi, ‘Botërori 2026’? – Po normale, por kemi një grup shumë të fortë. Luajtëm me Ukrainën, ekip shumë fizik, luan futboll të bukur. Nesër presim Gjeorgjinë, një ekip që po rritet dhe po bën futboll të bukur. Dhe Çekia, me të cilët kemi luajtur. Një skuadër e fortë dhe shumë fizike. Objektivi ynë është sigurisht Botërori, por për momentin jemi të fokusuar te Gjeorgjia nesër.
Një gol tre pikësh i yti me penallti apo një gol tre pikësh i Rey Manajt me goditje dënimi? – Një gol i Rey-t.