Dosti: Egnatia e Vllaznia mirë, Partizani e Laçi do të vijnë
Ai të ‘shkepte’ në gola. Në kohën e tij qëndërsulmuesi Edmond Dosti i kishte të rrallë shokët në fushë. Me cilësitë e një goleadori që i vjen rrallë futbollit shqiptar, ‘Moke’, teksa jeton në Grac të Austrisë, nuk i ndahet vendit të tij. Aq më tepër futbollit.
Këto ditë pushimesh në Tiranë e Pogradec, ish gjahtari i njohur i portave të rivalëve në fushë, ndoqi të hënën duelin Laçi- Tirana të mbyllur 0-0 (java e parë 2024/2025). Në tribunën VIP, ai shpesh u dëgjua të thotë: “S’ka kush të bëjë gol”.
Sportiim.al e pyeti pas ndeshjes lidhur me atë cfarë ish sulmuesi bardhezi pa në fushë por dhe në atë që ngjau në javën e parë Abissnet Superiore në këtë start kampionati:
Dosti:
“Bomber” si e pe ndeshjen Laçi-Tirana?
Nuk i la terreni të shpreheshin si do mund të donin. Ai rrebesh shiu në start e tjetërsoi duelin. Megjithatë rastet nuk munguan, të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar.
Po java e parë në tërësi nëse e ndoqët?
Është vetëm akti i parë i një rrugëtimi të gjatë. Nuk mund të dal në një konkluzion të qartë. Diçka që më bëri përshtypje ishin kartonët e kuq. Dhe jo për luftë sportive në fushë por për sjellje jo të denja. Faji i tyre…
Java e parë? Sigurisht që Egnatia dhe Vllaznia mu dukën më të qartë në objektivët e tyre për këtë kampionat të ri.
Dy skuadrat e ‘zemrës’ Partizani dhe Laçi?
Nuk i pashë në nivelin që unë dua t’i shoh por jam i bindur se do të kthehen shpejt te vendi që meritojnë”. /Isuf Myrtaj/