Teuta e Egnatia tri pikë, Superioria nis me ‘dopio Vila’ e Vuthaj
Kategoria Superiore, Java 1:
Dinamo – Egnatia 0-2 (Vuthaj 47′ pen, Lushkja 69′)
Teuta – Bylis 2-1 (E. Vila 20′, 89’/ Uallison 14′)
Ka marrë udhë sot Kategoria Superiore me sezonin e saj të 86-të. Gara u ndez në “Elbasan Arena” dhe “Niko Dovana” nga ku erdhën dhe pesë golat e parë të këtij kampionati.
Egnatia bëri detyrën si kampione në fuqi duke mposhtur ekipin e Dinamos. Vendosën goli i Vuthajt nga 11 metra distancë në startin e fraksionit të dytë të sfidës dhe ai i Lushkjes që vulosi përdundimisht 3-pikëshin e parë sezonal.
Sakaq, në Durrës vendasit morën një fitore me përmbysje përballë Bylisit të ringjitur nga Kategoria e Parë. Heroi i i sfidës ishte padyshim Emiliano Vila me dy golat e shënuar që zhvlerësuan plotësisht atë të Uallison. Edhe për Teutën kampionati nis me fitore, ndërsa për Bylisin nuk ka pikë në start.
Ditën e nesërme do të përmbyllin këtë javë të parë të Superiores tre sfidat e fundit në program: Laçi – Tirana (17:00), Partizani – Vllaznia dhe Skënderbeu – AF Elbasani të cilat startojnë në 20:00./Sara Gjidiaj/