Analiza/ 10 skuadrat e Superiores në lupën e ‘Sportiim.al’

Kategoria Superiore, edicioni i 86-të i futbollit superior do të nisë të dielën më 18 gusht. Dhjetë ekipet e sezonit futbollistik 2024/2025 para startit të kampionatit të ri kanë ndryshuar e ndryshuar pafundësisht duke lënë në dilemë faktin se cila do të jetë forca e tyre reale.

Skuadrat që mbyllën lart sezonin e kaluar përpos dështimit në Europë kanë kryer lëvizje kryesisht në dalje ndërsa afrimet mbeten goxha mister. Po ashtu ekipe të tjera me specifika ndjeshëm të paqarta funksionale.

Egnatia:

Skuadra kampione në fuqi pritet të luaj rol të madh edhe këtë edicion. Me një stadium tashmë drejt rikonstruksionit të plotë, disa afrime si Kasa, Lushkja etj, skuadra e Rrogozhinës mbetet ekip i fortë. Veçse largimet e Sherrit, Fernandos, Montenegros, Spahiut e sidomos Ibrahimoglusë, e kanë ulur shumë cilësisht.

Partizani:

Të kuqtë janë kthyer në ‘kantier’. Kriza e rezultateve në Europë dhe shkarkimi i beftë i trajnerit Shehi, afrimet e një cilësie mesatare gjatë merkaos aktuale por dhe largimet e Muratajt, Mensah apo Atanaskoskit janë goxha të ndjeshme. Pa shtuar këtu situatën me dëmtimet e fundit. Megjithatë Partizani si një klub i konsoliduar, qëndron favorit.

Vllaznia:

Dështoi keq me Valur në Ligën e Konferencës dhe tifozët ende nuk i’a kanë “falur”. Gjithësesi nëse Brdariç do të dijë të bëjë më të mirën e tij, grupi kuqeblu konsiderohet si ndër më cilësorët. Kahrimanoviç, Ardit Deliu, Gurishta, Qato, Melos Bajrami të gjithë bashkuar me shkodranët gjatë verës, janë garanci. E pafalshme për Vllazninë largimi i dy anësorëve Smajli e sidomos Hakaj.

Tirana:

Enigma e madhe e sezonit të ri. Solli në timon Bledi Shkëmbin që në rolin e trajnerit nuk është se ka shkëlqyer. Ok, Ibraimi drejtor mund të qëndrojë (eksperienca e parë e shqiptarit nga Tetova) mirpo çrrënjosja thujase e gjithë skuadrës për emra ende të pakonfirmuar si cilësorë, vendos në pikëpytje objektivët madhorë të bardhebluve. “Selman Stërmasi”? Problem madhor për klubin më të titulluar në vend. Skuadra do të luajë larg tij…

Dinamo Siti:

Vjet rrezikoi të luante në Play Out. Këtë edicion klubi blu duket totalisht ndryshe. Afrime të rëndësishme si Dejvi Bregu (sot del në seancën e parë me ekipin e Mehmetit), Peter Mandela, Eridon Qardaku, Bruno Dita, Bekim Maliqi. Pa i ‘shënuar’ të gjithë… Dinamo u përgatit në Itali për tri javë. Mbetet e vetmja skuadër që do luajë larg (në Elbasan). Paçka se tifozët kanë bërë thirrje të luhet në Vorë. Pritet të jetë Dinamo pretendente.

Skënderbeu:

Korçarët i janë përveshur një pune të madhe kësaj vere. Kjo pasqyrohet me afrimet e shumëta që për nga emrat duhen verifikuar. Sidoqoftë grupi i Gvozdenoviç nuk ka të listuar disa nga ata lojtarë me peshë të edicionit të shkuar. Dean Liço, Frenkli, Dumfur, Muharem, Sebastine etj, mungesa e tyre, nuk përbën lajmin më të mirë për juglindorët.

Teuta:

Thuajse ajo skuadër e edicionit të kaluar. Ka ruajtur bazën e grupit dhe ka afruar disa elementë të spikatur. Ardit Peposhi, portieri Tafas apo dhe Marku, Preknicaj e Reçi, shtuar këtu eksperiencën e Emiljano Vilës, rrisin kuotat e durrsakëve.

Laçi:

Si gjithnjë i heshtur në fazën e merkatos. Zyrtarisht ka afruar tre futbollistë cilësorë si Samuel Opeh, Kleandro Lleshi dhe Emiljano Bullari. Ama me ekipin e Cungut prej ditësh stërviten dhe 5-6 futbollistë nga Shqipëria dhe Afrika. Ku i dihet, pas seleksionimit të fundit, regjistrimit të tyre në FSHF, mund të mësohet më shumë rreth tyre.

AF Elbasani:

Skuadra me lëvizjet më të shumëta në merkaton e verës. E ngjitur për herë të parë në Superiore por me ngjyrat e skuadrës së vjetër, verdheblutë me presidencë të re dhe futbollistë që kanë trashëguar cilësi në elitë, konsiderohen si favoritë për zonën ‘Final Four’. Emir Azemoviç shihet si goditje e madhe. Ashtu sikundër Esin Hakaj, Bruno Lulaj, Xhonatan Lajthia apo Emiljano Musta. Tifozët? Priten të jenë ata rekordmenët e 10 përfaqësive në tribuna të skuadrave shqiptare.

Bylis:

Asnjëherë nuk duhet konsideruar ekip ‘tranzit’. Madje dhe kur është rrëzuar nga kategoria ka prodhuar lojë spektakolare. Ka larguar Lajthinë, Goxhajn, Trumcin, ama te mallakastriotët pista braziliane e afrikane janë preferencë e afrimëve edhe këtë vit.

Java e parë 18 gusht 2024:

Të dielën:

Dinamo Siti- Egnatia 20:00 (në Elbasan)

Teuta-Bylis 20:00

Të hënën:

Laçi- Tirana 17:00

Partizani- Vllaznia 20:00

Skënderbeu-AF Elbasani 20:00 /Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!