Lojërat Mesdhetare, Leçe e shqiptarëve bëhët me stadium gjigand
Akordohen 36 milion euro për ndërtimin e ‘çatisë’ së ‘Via del Mare’
Ylber Ramadani, Medon Berisha dhe Kastriot Dermaku tre futbollistët kuqezinj, pritet të luajnë së shpejti në një impiant modern. Sipas asaj që raporton Sportmediaset, stadiumi i Leçes ‘Via del Mare’ (33 876 vende) së shpejti do ti nënshtrohet rikonstruksionit.
Arsyeja e kësaj ndërhyerje lidhet me zhvillimin e edicionit të XX të Lojërave Mesdhetare, të planifikuara për vitin 2026 në Taranto por që gjithashtu do përfshijë edhe zonat e tjera të jugut të Italisë.
Dje u nënshkrua dekreti me të cilin u miratua pjesa e dytë e programit të punimeve infrastrukturore të nevojshme për zhvillimin e edicionit të XX të Lojërave Mesdhetare, aty ku është llogaritur edhe shtesa për stadiumin buzë Adriatikut.
Ishte vetë presidenti i klubit leçez Saverio Stiki Damiani i cili ndër të tjera tha:
“Unë kisha shpresuar që në fillim që Lojërat Mesdhetare mund të ishin një mundësi për një modernizim të thellë të ‘Via del Mare’, deri në pikën e ëndërrimit të mbulimit total të objektit tonë, gjë që do të bëjë më modern, funksional, mikpritës dhe të aksesueshëm për fansat tanë”.