Duka: Prezantuam Strategjinë e Futbollit të vajzave
Federata Shqiptare e Futbollit organizoi pasditen e kësaj të enjteje në stadiumin “Air Albania” eventin e rëndësishëm të lançimit të Strategjisë së Futbollit të Vajzave “Rising Stars 2023-2026”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin e vajzave në 3 vitet e ardhshme e që është bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë.
Duka shkruan në rrjete sociale:
“Prezantuam sot Strategjinë e Futbollit të Vajzave “Rising Stars 2023-2026”, që nuk është thjesht një dokument, por që përcakton objektiva të qarta për të ardhmen.
Kjo strategji për realizimin e objektivave të saj, mbështetet në ndryshimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për vajzat, në promovimin e futbollit për vajzat, në përmirësimin e elitës së futbollit siç është Vllaznia apo ekipet Kombëtare, por edhe në politikën për të afruar sa më shumë vajza në futboll.Dua të falenderoj FIFA-n për mbështetjen me projekte të dedikuara për futbollin e vajzave, gjithashtu edhe UEFA-n me mbështetjen, jo vetëm për hartim dokumentash apo për të na treguar rrugën se si përmirësohet, por edhe me mbështetje konkrete dhe projekte.
Falënderoj edhe Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu për prezecën e saj në këtë event dhe e ftoj që buxheti i vitit të ardhshëm të ketë në vëmendje pak më shumë futbollin e vajzave.Ne jemi në një moment historik në vitin 2023 me suksese të jashtëzakonshme, por qershia mbi tortë janë rezultatet e ekipit Kombëtar dhe kualifikimi në Euro 2024.
Në këtë atmosferë pozitive ne zgjodhëm këtë ditë për të lançuar këtë strategji të futbollit të vajzave për të demostruar se ne duam që futbolli i vajzave të arrijë në të njëjta nivele.”
