Historike, tre skuadra shqiptare në Play Off të Conference League

Partizani, Ballkani dhe Struga kanë siguruar nga një biletë për fazën “play-off” të Conference League, aty ku do të jenë vetëm një hap larg grupeve.

Të kuqtë kryeqytetas shkruan historinë duke kapërcyer turin e tretë në Ligën e Konferencës përballë letonezëve të Valmieras. Kampionët në fuqi kishin fituar sfidën e parë në transfertë me përmbysje në shifrat 1-2, teksa në “Elbasan Arena” u mjaftuan me penalltinë e Carës për të firmosur kualifikimin.

Më shumë episode dhe më shumë këmbëngulje e shfaqur nga ana e skuadrës mike, por ekipi i Zekiç ia doli të fluturojë më tej, në “play-off”, aty ku do të ndeshet me Astanën e Kazakistanit.

Edhe Ballkani ia doli të katapultohet sërish në fazën “play-off”. Djemtë e Ilir Dajës eleminuan ekipin nga Gjilbraltari, Linkoln Red Imps me rezultatin e përgjithshëm 5-1, teksa në përballjen e sotme fituan 1-3 në transfertë. Kundërshtari i radhës për dardanët do të jetë BATE Borisov, “makthi” i Partizanit në turin e parë të Champions League.

Partizanit dhe Ballkanit i bashkangjitet dhe Struga e Shpëtim Duros që gjithashtu do mund të luajë një shans për të kapur grupet e Ligës së Konferencës. Maqedonasit eleminuan luksemburgasit e Suift Hesperanzh pavarësisht humbjes së sotme me përmbysje në shifrat 2-1. Fitorja 3-1 në sfidën e parë i jep të drejtën Strugës të konsiderojë si provën e radhës islandezët e Breidablik./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!