Partizani përgatit titullin e 17-të, e 36-ta kaos i plotë verdiktesh

Nga Erga Kenga

Duket si e diel e madhe e futbollit shqiptar. Por sot, në këtë të hënë e 29 majit 2023, Abissnet Superiore luan aktin e fundit sezonal. Të atij që në numra përkon me shifrat 84-ër.

Nga 10 skuadrat pjesëmarrëse janë qartësuar tri vende në Europë, (Partizani, Tirana dhe Egnatia) dhe një skuadër që matematikisht ka zbritur në Kategori të Parë, Kastrioti.

Pjesa tjetër e gjitha në garë. Në këtë javë epilog të 36-të, e cila do të luhet e gjitha në orën 16:00.

Vëmendje te zona titull. Partizani dhe Tirana në kuotën e 64 pikëve me të kuqtë që shpallen kampionë nëse gjërat mbyllën këtu (ndeshje direkte). Skuadra e Kolelës pret sot në “Arenën e Demave” Teutën e Durrësit dhe ka gati festën për titullin eventual të 17-të.

Janë shitur të gjitha biletat ndërsa organizatorët e klubit po merren me stilimin e impiantit në verilindje të kryeqytetit për të hapur rreth orës 17:50 shampanjën. Nëse fiton tri pikët e fushës apo mbyll para rivalit-Tirana. Edhe pjesa zyrtare e ceremonisë së titullit (FSHF) e përqendruar te kjo sfidë…

Ndërkohë e zymtë duket situata te Tirana. Bardheblutë të masakruar nga Disiplina pas ngjarjeve të post ndeshjes në Rrogozhinë me Bylis (2-2) ndihen aspak të sigurtë. Te formacioni i Shehit pritet të ketë arnime të shumta për të përballuar transfertën me Erzenin në ‘Niko Dovana’. Sot shprehja; “shpresa vdes e fundit”, vlen më shumë se kurrë te kampi i Tiranës. Janë në dorë të…Teutës.

Ndërkohë pasi ka siguruar europën, Egnatia ka lënë një vend bosh sa i takon Conference League (është finaliste e Kupës bashkë me Tiranën).

Në valle kanë mbetur Teuta (47), Vllaznia (46), dhe Laçi (45). Këtu skenarët janë mjaft intrigues pasi Teuta ka transfertën e vështirë me Partizanin të cilit i duhen tri pikë për të qenë i sigurtë kampion. Në anën tjetër Vllaznia luan në Ballsh ndërsa vendasit duan shpëtimin e Laçi pret Kastriotin e rrëzuar..

Hipotetikisht nëse humb Teuta dhe Vllaznia del me një pikë, do të jetë skuadra e Nicës që kalon. Gjithnje nëse Laçi merr tri pikë ndaj Kastriotit në shtëpi.

Në këtë rast, futet në lojë renditja ‘avulsa’. Me tri skuadra me 48 pikë do të jetë Laçi ajo që ulet në sofrën europiane sepse në klasifikimin tresh ka rezultate më të mira (17 pikë).

Sakaq nëse humb Vllaznia por dhe Teuta, Laçi me tri pikë në takimin e fundit, do të ishte ajo skuadra që ecën për herë të 10-të në Europë.

Ndërkohë fundi i gjithi dramatik. Kukësi e ka thuajse të shpëtuar sezonin pasi më e keqja për verilindorët do të jetë të jetë play -out-i. Nëse fiton apo barazon ndaj Egnatias mbyll llogaritë.

Sakaq Erzeni, do fitoren ndaj Tiranës dhe Bylis me dy pikë më pak se shijakasit kërkon tri pikë ndaj Vllaznisë. Me pikë të barabarta në play out shkon Bylis (ndeshje direkte) teksa Erzeni do zbriste nga Kategoria.

Java e 36-të e hënë 29 maj ora 16:00

Egnatia- Kukësi

Laçi- Kastrioti

Partizani-Teuta

Erzeni- Tirana

Bylis- Vllaznia/Sportiim.al/

Klasifikimi pas javës së 35:

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është image-7.png

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!