Zhgënjen Vllaznia, Bylis tani mbahet nga matematika

Abissnet Superiore, Java 32:
Kastrioti – Vllaznia 2-2 (Rexhinaldo 45’+3′ (pen), Mihana 90’+1’/ Çoba 42′, Kaina 47′)
Egnatia – Bylis 2-0 (Malota 59′, Kasa 77′)

Ka nisur me vrull java e 32-të e Abissnet Superiore me skuadrat e fillimtabelës që nuk zhgënjyen përballë skajit fundor të saj. Vllaznia nuk di të fitojë, ndërsa Egnatia nuk di të ndalet.

Shkodranët nuk e patën aspak të lehtë përballë krutanëve në “Elbasan Arena”. Kuqeblutë regjistruan disa përpjekje më shumë se Kastrioti por avantazhi vonoi. Në minutën e 42′-të Çoba u kujtua të shënonte një gol që do i jepte deri diku qetësinë miqve.

Pak minuta më pas, loja merr rrjedhë tjetër me Vllazninë që mbetet me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Juriç i cili shkaktoi penallti në shtesën e pjesës së parë. Rexhinaldo riktheu baraspeshën duke ekzekutuar saktë 11-metërshin edhe duke dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes kur shifrat ishin 1-1.

Vetëm dy minuta do t’i duheshin Kainës nga starti i pjesës së dytë të shënonte sërish për t’i kaluar të tijtë përpara por jo përfundimisht. Kjo pasi krutanët zgjedhin të barazojnë sërish në shtesë.

Goditja me kokë e Mihanës ishte vendimtare me topin që u ndal në rrjetën e Zogoviç për të mbyllur gjithçka në balancë mes dy ekipeve përveç numrit të lojtarëve në fushën e lojës.

Shkodranët barazojnë Laçin në renditje dhe ngjiten të katërtit momentalisht, ndërsa Kastrioti shpreson ende duke qenë se matematika ia lejon diçka të tillë.

Sakaq, Egnatia mposhti Bylisin në shifrat 2-0 falë golave të Malotës dhe Kasës. Nuk mungoi kartoni kuq as në këtë përballje me miqtë që e panë veten në vështirësi që në minutën e 27′-të ku Maçolli u ndëshkua me të verdhin e dytë.

Rrogozhinasit ruajnë vendin e tretë falë kësaj ecurie pozitive, teksa Bylis mbeten aty-aty me Kastriotin, në rrezik për “rrëshqitjen” një kategori më poshtë./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!