Laçi mund Partizanin, Kukësi paqe me Vllazninë

Abissnet Superiore, Java 29:
Kukësi – Vllaznia 0-0
Laçi – Partizani 3-2
(Guindo 43′, 79′, Shkurtaj 48’/ Da Silva 39′ pen, Mba 88′)

Java e 29-të Abissnet Superiore vijoi me 2 sfida të tjera mjaft interesante për garën e këtij edicioni të 84-ët. Laçi nën drejtimin e Stavri Nicës merr fitoren e dytë radhazi me përmbysje, ndërsa ka paqe në veri mes Kukësit dhe Vllaznisë.

Spektakolare ishte ndeshja në stadiumin e Laçit ku kurbinasit fituan mes 5 golave në shifrat 3-2. Një përballje e nisur më mirë nga kryeqytetasit, të cilët pas dominimit total fituan dhe një 11-metërsh të kthyer në gol nga Da Silva.

Në çastet e fundit të pjesës së parë u rizgjuan bardhezinjtë duke shënuar me të përhershmin Guindo, ndërsa në çastet e para të pjesë së dytë, Shkurtaj hodhi përpjetë vendasit me golin e dytë.

Golat nuk kanë fund teksa baraspesha do të rikthehet nga Sota por gjithçka do të konsiderohet e parregullt nga sistemi VAR, ndërkohë që stafeta shkon dhe një herë te Guindo. Shkon në tre numri i golave për Laçin në këtë sfidë dhe në tetë numri total i golave të shënuar nga sulmuesi bardhezi i afruar gjatë merkatos së janarit.

Humbasin toruan të kuqtë teksa e shohin veten në disavantazh, ndërsa bardhezinjtë provojnë akoma. Pavarësisht kësaj, goli i radhës do të jetë për miqtë me Mba që ngushton shifrat në minutën e 88′-të.

Shumë minuta ankthi e drithërimash për vendasit që do duhej të administronin deri në fund, gjë që e arritën për të mbërthyer një tjetër 3 pikësh me vlerë që e rikthen edhe në garën europiane.

Sa i përket renditjes, kurbinasit parakalojnë Erzeni dhe pozicionohen të pestit me 39 pikë, ndërsa Partizani mban vendin e dytë pa ndryshim në totalin e pikëve.

Në takimin e luajtur paralelisht mes Kukësit dhe Vllaznisë u regjistrua barazimi i tretë i kësaj jave. Rezultati i bardhë 0-0 mes verilindorëve dhe shkodranëve që dalin të pakënaqur nga kjo përballje.

Jo shumë histori në 90 minuta të luajtura ku rrjeta e Zogoviç u cënua vetëm një herë nga Ebert por goli u konsiderua i parregullt dhe gjithçka vijoi normalisht.

Me 1 pikë Kukësi ngjitet i shtati, ndërsa kuqeblutë vetëm sa ruajnë diferencën prej 3 pikësh me Laçin e vendit të pestë, pasi asgjë nuk ndryshon në renditjen e tyre./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!