Miqësorja ndaj Maqedonisë së Veriut, flet Doçi

Kombëtarja e vajzave triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e parë miqësore për këtë vit të ri që u luajt pasditen e djeshme në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Goli i Megi Doçit dhe dy golat e Valentina Trokës vendosën fatin e kësaj sfide mjaft të rëndësishme për ekipin e vajzave kuqezi dhe për trajnerin Grima, i cili sigurisht mori sinjale të rëndësishme.

Dy protagonistet absolute të Shqipërisë së vajzave, Doçi dhe Troka folën për mikrofonin e fshf.org pas ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut.

Për sulmuesen e Apolonisë, Valentina Troka ky ishte grumbullimi i dytë në radhët e ekipit kuqezi, ndërsa nuk e fshehu aspak lumturinë pas dy golave të shënuar në portën e fqinjeve. Troka shpreson që kjo dopietë t’ia ketë vlejtur për të marrë sërish një ftesë në të ardhmen. “Ndihem shumë e lumtur pasi ishte ndeshja e parë që merrja minuta të tilla dhe shënova dy gola, duke i dhënë edhe fitoren ekipit. Shpresoj t’ia ketë vlejtur për t’i dhënë besimin trajnerit dhe gjithë stafit. Në të ardhmen do të presim një Valentinë shumë ndryshe, duke dhënë maksimumin për ekipin kombëtar dhe duke ia shpërblyer stafit në mënyrat më të mira” – tha Valentina për fshf.org, ndërsa nënvizoi se kjo ndeshje miqësore skuadrën dhe në veçanti për të ishte shumë e vlefshme.

Ishte një miqësore që të paktën për mua vlejti shumë. Mora 10 minuta dhe arrita të shënoj dy gola dhe kjo do të thotë shumë për mua. Ndihem shumë mirë” – përfundon Valentina Troka.

Nga ana tjetër, kapitenia e skuadrës kuqezi, Megi Doçi ishte ajo që fillimisht baraspeshoi rezultatin e më pas dha edhe asistin e golit të avantazhit. Sulmuesja u shpreh se e rëndësishme është që skuadra fitoi dhe nënvizoi gabimet që skuadra duhet të përmirësojë në të ardhmen.

“E rëndësishme është që ekipi fitoi. Bëmë një ndeshje të mirë, duke prodhuar raste, si në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë. E rëndësishme është që këto raste që prodhuam, në vazhdimësi të rregullohen dhe të jemi më të sakta përpara portës. Ndihem e kënaqur me golin e shënuar, por edhe me asistin. E rëndësishme është fitorja” – tha Megi Doçi, e cila vlerësoi grumbullimin dhe miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Ishte një grumbullim i rëndësishëm, për të parë edhe vajzat e kampionatit tonë, si edhe gjendjen e ekipit për vazhdimësinë. Kemi ndeshjet e Ligës së Kombeve në vijim dhe për këtë arsye duhet të përgatitemi mjaft mirë që të pretendojmë kualifikimin” – përfundoi Megi Doçi/FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!