Vllazninë e ndal Partizani, Tirana e zgjidh në pjesë të parë…

  • Tirana mund Laçin dhe merr kreun e renditjes, Bala gjën golin e parë me Vllazninë.

Sara Gjidiaj

Abissnet Superiore, Java 25:
Tirana – Laçi 3-2 (Hasani 5′, 19′, Lulaj 45’+3’/ Guindo 55′ pen, Ujka 90’+3′)
Vllaznia – Partizani 1-1 (Balaj 8′ pen/ Da Silva 3′)

Tirana di të ringrihet, Laçi fundoset ndërsa Partizani dhe Vllaznia bëjnë paqe në “Loro Boriçi”. Kështu u mbyll java e 25-të e Abissnet Superiore që duket se ka mbërritur në fazën e saj më delikate.

Bardheblutë e Tiranës lanë pas humbjen në derbi dhe u rikthyen bindshëm ndaj Laçit. Kryeqytetasit fituan 3-2 duke dominuar sfidën në pjesën e parë dhe duke treguar karakterin që u mungonte prej disa ndeshjesh.

Hasani dhe Lulaj ishin ata që shënuan në pjesën e parë për fitoren e kampionëve në fuqi, ndërsa Laçi provoi të ringrihej në fraksionin e dytë. E vetmja gjë që mundën të bënin kurbinasit, ishte ngushtimi i shifrave përmes golit të Guindos nga pika e bardhë e penalltisë dhe realizimit mjaft të bukur të Ujkës në minutat shtesë.

Kështu u mbyll kjo sfidë me Tiranën që rimerr kreun e vetme me 43 pikë, ndërsa Laçi mbetet në zonën e rrezikut, në vendin e tetë me 30 pikë.

Sakaq, në Shkodër gjithçka u mbyll në barazim mes Vllaznisë dhe Partizanit. Dy gola të shpejtë vulosën fatet e sfidës me një ish të saj që shënoi për të kuqtë në minutën e tretë.

Ishte Da Silva që kaloi në avantazh Partizanin, teksa vetëm pas pesë minutash Balaj barazon nga 11 metra distancë duke gjetur dhe golin e parë të këtij sezoni me kuqeblutë.

Nga ky rezultat përfitojnë bardheblutë e Tiranës, ndërsa Partizani qëndron 2 pikë larg tyre në vendin e dytë. Shkodranët mbeten të katërtit në një zonë ku pikët janë mjaft të ngjeshura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!