Teuta ia di Tiranës, Mihana zgjon Kastriotin
Abissnet Superiore, Java 23:
Vllaznia – Kastrioti 0-1 (Mihana 30′)
Tirana – Teuta 0-2 (E. Vila 10′, 79′)
Nga Sara Gjidiaj
Dy sfidat e fundit të javës së 23-të Abissnet Superiore kanë prodhuar surpriza si në Shkodër ashtu edhe në “Air Albania”. Teuta mposht kryesuesit, ndërsa krutanët nuk falin shkodranët.
Jo shumë diferenca mes Vllaznisë dhe Kastriotit në fushën e lojës edhe pse shkodranët u dukën më shumë në gjysmëfushën e krutanëve.
Goli i Mihanës në minutën e 30′-të ishte i vetmi top që përfundoi në rrjetë në këtë përballje. Kuqeblutë e Vllaznisë insistuan para portës së Salit, sidomos në fund, por finalizimi dhe fati mungoi për vendasit.
Sakaq, Teuta surprizoi Tiranën në shtëpi duke e mposhtur 0-2 dhe duke u konfirmuar si ekipi më në formë i momentit.
Sfida nisi me malore për kryeqytetasit. Emiliano Vila tundi rrjetën e Bekajt që në minutën e 10′-të teksa Kallaku pati mundësinë e dyfishimit të shifrave nga pika e bardhë e penalltisë në të 41′.
Goli i dytë për durrsakët u mohua nga gardiani bardheblu i cili priti gjuajtjen e Kallakut nga 11 metra distancë.
Edhe Tirana regjistron rastet e saj në këtë sfidë por mbrojtja dhe porta e miqve ishte në nivelin e duhur për të përballuar sulmet e kampionëve në fuqi.
Vetëm pak minuta pas daljes me të kuq të Ildi Grudës (73′), Teuta dhe Emiliano Vila do të gjejnë edhe golin e dytë për të vulosur përfundimisht fitoren.
Pas javës së 23-të, tre vendet e para të klasifikimit nuk ndryshojnë as renditjen dhe as pikët për shkak të humbjeve që pësuan Tirana, Partizani dhe Vllaznia. Ndërkohë Kastrioti merr një 3-pikësh shumë të rëndësishëm për shpëtimin nga zona e rrezikut, ndërsa Teuta parakalon Laçin dhe regjistron 31 pikë.