Tirana tri pikë për kreun, Vllaznia barazon në Rrogozhinë

Abissnet Superiore, Java 22:
Egnatia – Vllaznia 0-0
Kastrioti – Tirana 0-1 (Nikqi 90+10′)
Dy sfidat përmbyllëse të javës së 22-të të kampionatit shqiptar dhuruan emocione të shumta ditën e sotme. Një fitore në frymën e fundit dhe një barazim i luftuar, kështu u mbyllën sfidat në Kamëz dhe Rrogozhinë.
Kastrioti me Emiljano Çelën sërish në pankinë humbi përballjen e interpretuar mjaft mirë ndaj Tiranës vetëm në minutën e 100′-të.
Bardheblutë gabuan dhe një 11-metërsh gjatë pjesës së parë pasi gjuajtja e Hasanit u prit nga Sali, ky i fundit disa herë protagonist në këtë përballje.
Dominim i dukshëm i kryeqytetasve teksa si krutanët edhe tiranasit do ta mbyllin me 10 lojtarë sfidën. Pas tensionit të krijuar në fushë, Aleksi dhe Çela ndëshkohen me të kuq duke u larguar 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Gjithçka do të përmbyset në 10 minutat e shtesës me këmbënguljen e bardhebluve që shpërblehet vetëm në fund falë Nikqit që shënon dhe ngre peshë tifozët e pranishëm. Shpërthen festa te kampionët në fuqi, teksa krutanët e mbyllin jo pak të zhgënjyer.
Sakaq, Vllaznia ngec sërish përballë Egantias. Rrogozhinasit janë bërë të pakalueshëm për shkodranët gjë që u dëshmua edhe në këtë sfidë, ku rastet ishin të shumta për të dyja ekipet por goli nuk erdhi në asnjë moment.
Pas xhiros së 22-të, Tirana udhëheq e vetme klasifikimin dhe sheh poshtë saj Partizanin me 37 pikë si dhe Vllazninë në vendin e tretë me 35 pikë. Egnatia renditet e katërta me 31 pikë, ndërsa Kastrioti “gozhdohet” në fund me 20 pikë.