Inaugurohet stadiumi i rikonstruktuar në Luz asiston Duka

Është inauguruar sot përmes një ceremonie stadiumi i Luzit 2008 me impiantin e transformuar totalisht përmes një investimi të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëfinancim me klubin e Kategorisë së Parë.

Në ceremoninë e zhvilluar sot përpara nisjes së ndeshjes Luzi 2008-Korabi, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së Parë, morën pjesën Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, drejtuesit e dy klubeve si edhe personalitete të futbollit kavajas.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shprehu kënaqësinë për këtë investim të rëndësishëm me një vlerë të konsiderueshme në këtë stadium, që është rikonstruktuar nga e para dhe tashmë gëzon standarde të shkëlqyera për ndeshjet e kampionatit, duke përmirësuar nivelin e infrastrukturës sportive.

“Jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot në Luz, nuk është hera ime e parë këtu dhe vërtetë jam i gëzuar që sot Federata Shqiptare e Futbollit iu bashkua financimit dhe investimit për ta bërë këtë impiant akoma më të bukur. Ky nuk është vetëm një stadium i Luzit, por i gjithë Kategorisë së Parë, dua të falënderoj Albert Lushën për kontributin, falënderoj të gjithë stafin e Federatës që ka punuar me shumë përkushtim këtu për të kryer punimet cilësore të kësaj fushe ku ne jemi sot, dhomat e zhveshjeve, stolat e gjithçka tjetër. Futbolli nuk i takon vetëm qyteteve të mëdha, futbolli i takon çdo fëmije shqiptar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që të shkojmë dhe të kujdesemi për çdo fëmijë në çdo cep të Shqipërisë. Faleminderit dhe ta gëzoni stadiumin, sa më shumë suksese e sa më shumë futboll në Luz”, – tha Presidenti Duka në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së inaugurimit.

Investimi konsiston në rikonstruksionin e plotë të bazamentit të fushës duke i shtuar edhe sistemin e ri të vaditjes për ta kompletuar me fusha e re me bar natyral, që është e standardeve më të mira.

Përveç fushës që është ndërtuar në parametra mjaft të mira, njësoj si edhe në stadiumet më të mira në Shqipëri tashmë, FSHF ka financuar për stolat e rinj të tribunës, si edhe është kujdesur për sistemime të tjera në të gjithë stadiumin, ndërkohë që përveç blerjes së bazës materiale për të gjithë investimin është kujdesur përmes ekspertëve të saj për të gjitha fazat e punimeve./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!