Gongu i fundit, Argjentinë-Francë, finalja e madhe e Botërorit numër 22

Speciale nga: Erga Kenga

Argjentina dhe Franca kanë nga dy tituj Botëror, sot njëra shkon në tre trofe madhorë. Bota futbollistike e gjitha në Katar…

Mbërritëm në epilog. Koha për finalen e madhe të Botës në futbollin për meshkuj. Këtë pasdite (18/12/2022) ora 16:00, katër javë pas ndeshjes së parë të Botërorit të 22-të në Katar, në “Lusail Stadium” të qytetit të Lusail me 88.966 vende, fituesi i fundit i Kupës së Botës Franca, kryqëzon “shpatat” ndaj Argjentinës latino-amerikane duke synuar “Gralin e Shenjtë” të futbollit botëror: statujën të gjithë ari të Kupës së Botës e bashkë me të dhe çatinë e botës për katër vitet e ardhshme.

Një betejë “gjigandësh” në të gjitha nivelet. Nga njëra anë, Lionel Mesi, i cili do të ketë shansin e dytë (dhe me sa duket të fundit) të karrierës së tij për të arritur trofeun e vetëm që mungon në koleksionin e tij marramendës të titujve të panumërt. Finalja e humbur me Gjermaninë në vitin 2014 në Brazil e “shënjon” sërish ‘Pleshtin’ dhe tani dëshiron të arrijë të vetmen majë që nuk e ka pushtuar deri më sot.

Dhe nga ana tjetër Kilian Mbape, protagonisti i dekadës së ardhshme, i cili tashmë është kthyer në simbol të futbollit botëror dhe bën gjëra të mrekullueshme në fushë. Ka fituar një Kupë Bote në koleksionin e tij (2018) dhe aspiron që në moshën 23-vjeçare të ngrejë për herë të dytë trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

Sa i përket kontigjentit Argjentina do të ketë në dispozicion Akunjën dhe Romeron ndërsa Angel Di Maria pritet të startojë për herë të parë që nga fillimi. I vetmi problem për Lionel Skalonin mbetet Papu Gomez, i cili ende nuk e ka kapërcyer dëmtimin që e ndjek prej 12 ditësh.

Dhe Franca gjithashtu ka stresin e saj me viruset që kanë pllakosur kampin “blu” javën e fundit. Upamekano dhe Rabiot e kanë kapërcyer virusin e ‘Devesë’ teksa pritet të luajnë që nga fillimi. Tçuameni ka tejkaluar problemet me këmbën dhe do të startojë ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për Teo Hernandez dhe Dembele.

Finalja e sotme do të jetë takimi i 13-të mes Argjentinës dhe Francës. Amerikano-jugorët kanë 6 fitore, francezët 3 fitore, ndërsa 3 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Në nivel Botëror, kombëtarja e Argjentinës fitoi dy ndeshjet e para, në vitet 1930 dhe 1978. Por 4 vite më parë (2018) në Rusi, transalpinët mposhtën “Albicelesten” 4-3 dhe hodhën hapin i tyre të parë të madh drejt fitimit të trofeut të tyre të dytë.

Arbitri i finales së madhe do të jetë 41-vjeçari polak Simon Marsiniak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!