Reja për mediat italiane: Brojën e duan të gjithë, Ismajli mbrojtës i madh

Tekniku: Miqësorja me Italinë ka pritshmëri të madhe në Shqipëri

Edi Reja ‘zbërthehet’ për ‘Tuttomercatoweb.com’. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë ka rrëfyer aventurën me kuqezinjtë, elemteët, pengjet dhe analizon Napolin dhe Kombëtaren italiane. Për kontratën me Dukën nuk di…

Kualifikueset ? – “Ne e provuam deri në fund. Mjaftonte një pikë me Poloninë dhe më pas kemi pësuar gol në 10 minutat e fundit të ndeshjes pas një gabimi. Keqardhje sepse kemi fituar dy herë ndaj Hungarisë dhe kemi grumbulluar në total 18 pikë. Ishte një moment pozitiv dhe kishim besim.”

Liga e Kombeve – “Ishte ndeshja e fundit, nëse fitonim do të shkonim në ‘Play-Off’. Rusia nuk ishte në grupe dhe rruga ishte e shtruar. Nuk ka zhgënjim, por shpresa kishim.”

Shqipëria me “koloni italianësh” – “Ka shumë lojtarë të Shqipërisë që luajnë në Itali. Gjimshiti, është Kumbulla, i cili është një djalë i mbarë, por nuk po aktivizohet me Romën. Ismajli te Empoli është duke u rritur, një mbrojtës i madh. Nëse shihet më i qetë në fazën e qarkullimit të topit, do të bëhet një lojtar ‘Big’. Më pas në Itali luajnë, Hysaj, Bajrami dhe Berisha, kapiteni ynë.”

Asllani – “Ka nevojë për të luajtur. Si trajner i Shqipërisë them që ai dhe Kumbulla të largohen në huazim për të pasur sa më shumë minuta në këmbët e tyre.”

Asllani dhe Kumbulla – “Ua kam komunikuar edhe atyre këtë gjë. Nuk janë të kënaqur, por çfarë mund të bëjmë tani? Janë nën kontratë me dy klube shumë të mëdha. Duke thënë këtë, shpresoj se diçka mund të ndodhë, duke pasur parasysh moshën që ata duhet të luajnë më shumë.”

Armando Broja – “Ka një potencial të madh. Është një lojtar i strukturuar mirë, 190 cm i gjatë, ka teknikë dhe shpejtësi të madhe, kur niset në sprint nuk e kap njeri. Ai ka vetëm një gjë, atë të qarkullimit. Duhet që të përmirësojë fazën e dytë, atë kur aksioni përfundon sepse aty ndihmon shumë pak. Nga ky këndvështrim këtë vit po ecën pak më mirë, por sigurisht që nuk e ndihmon fakti që luan 20 ose maksimumi 30 minuta.”

Merkato për Brojën – “Napoli e ka kërkuar shumë. Drejtuesit e Napolit kanë qenë shumë të interesuar, por Broja kishte qëllim vetëm të qëndronte te Çelsi, klub ku i kanë rinovuar kontratën. Kam folur edhe me drejtorin sportiv të Napolit për të.”

Ndeshja miqësore me Italinë – “Pres që Mançini t’i japë hapësirë edhe atyre futbollistëve që kanë luajtur pak. Jo një kombëtare eksperimentale, por me ndonjë të re. Kur luan ndaj Italisë ka shumë motivim. Ka pritshmëri të madhe edhe nga ana e shqiptarëve, sepse këta të fundit kanë konsideratë të madhe për italianët. Shqiptarët i shohin të gjitha ndeshjet tona në Itali dhe i njohin mirë të gjitha skuadrat. Shpresoj të jetë një ndeshje e mirë dhe shpresoj që Shqipëria të bëjë mirë. Nuk po them të marrim një rezultat pozitiv, por një paraqitje të mirë, po. Do të thotë të bënim hapa të mëtejshëm përpara.”

E ardhmja te Shqipëria? – “Kam një raport të mirë me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Jam i qetë. Pas këtyre miqësoreve do të na duhen disa ditë për të menduar dhe më pas se çfarë do të vendosim.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!