Skuka ‘ndez dritat’ e Partizanit, Teuta ecën ‘mbrapsht’
Abissnet Superiore, Java 12:
Partizani – Bylis 2-1 (Skuka 18′ (p), 63’/ Rodrigo 80′)
Teuta – Erzeni 1-2 (L. Vila 48’/ Kahrimanoviç 54′, Nonato 69′)
Tiranë:
Në sfidën përmbyllëse të javës së 12-të, Partizani mori “dy” fitore, triumfin ndaj Bylisit dhe impiantin të ri sportiv në një ndeshje kampionati, inagurimi i të cilit është shtyrë për më vonë.
Sa i përket sfidës, ishin kryeqytetasit që u shpërblyen në minutën e 18′-të me një penallti të shkaktuar nga Teqja, portieri që kanë huazuar te Bylis. Skuka nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Kaq për pjesën e parë, pasi në të dytën shënohen dhe 2 gola të tjerë. Sërish Xhuliano Skuka dyfishon rezultatin që kishte vendosur në aktin e parë me një super gol nga një kënd thuajse i pamundur duke dërguar Partizanin me një këmbë te fitorja.
Në pjesën e mbetur janë ballshiotët që gjallërohen disi dhe Rodrigo ndez shpresat e tyre me një gol të minutës së 80′-të por që për Partizanin nuk prish punë pasi “Demat” dalin me fitore nga stadiumi i ri.
Me këtë triumf Partizani barazon totalin e pikëve të Tiranës por renditet i dyti ndërsa Bylis mund të quhet tashmë në krizë rezultatesh.
Rrogozhinë:
Në stadiumin e Rrogozhinës u zhvillua ditën e sotme një tjetër përballje e Superiores, derbi i qarkut Durrës mes Teutës dhe Erzenit.
Surpriza mban sërish emrin e shijakasve të cilët përmbysën durrsakët duke i shkaktuar zhgënjimin e radhës.
Një pjesë e parë mjaft e luftuar por në të dy kampet mungon saktësia dhe finalizimi, ndërsa akti i dytë nis me golin e Lorenco Vilës dhe festën “madhështore” të Teutës, gëzimin e së cilës e prish Kahrimanoviç 6 minuta më pas.
Akoma më fatal për durrsakët rezulton goli i brazilianit Nonato që vulos fatet e sfidës. Teuta e mbyll në sulm takimin ndaj Erzenit por sërish te durrsakët nuk vjen goli dhe as fitorja.
Ky 3-pikësh e katapulton momentalisht Erzenin në vend të dytë në pritje të Partizani – Bylis, ndërsa Teuta zhytet akoma më shumë në fundin e tabelës. /Sara Gjidiaj/