Derbi/ Vajekano mund Realin

La Liga:
Rajo Vajekano – Real Madrid 3-2
Real Madrid lëshon kreun dhe këtë e bën në duelin madrilen të së hënës.
Sfidë intensive në 90 minuta mes Rajo Vajekanos dhe Realit të Madridit luajtur në “Vallecas”, me fundin e lumtur për Rajon e Ivan Balliut 3-2.
Një ndeshje e mbarsur me gola, penallti, emocione dhe ndëshkime.
Goli erdhi shumë shpejt me vendasit që pësuan goditjen e parë në minutën e pestë, teksa baraspeshën e ktheu Modriç me anë të një penalltie.
Në fund të pjesës së parë skuadrat gjetën rrjetën 2 herë. Fillimisht Militao ktheu rezultatin në favor të kampionëve në fuqi e më pas Garsia shënoi për Vajekanon.
Minuta e 67′-të sjell një penallti në favor të vendasve të cilët gabojnë me gjuajtjen e parë duke u ndalur nga Kurtua, por portieri i madrilenëve ishte shkëputur nga vija para se të ekzekutohej 11-metërshi. Mundësinë e dytë Treha e shfrytëzon si duhet duke i dhënë avantazhin përfundimtar të tijve.
Sakaq, nuk i shpëtoi kartonit të kuq trajneri i Vajekanos, Iraola, teksa arbitri nuk nguroi të nxirrte edhe 8 kartonë të verdhë.
Kështu, Real Madrid nuk ia del të rifitojë kreun duke lejuar katalanasit të udhëheqin të vetëm, ndërsa për Rajo Vajekanon kjo ishte fitorja e tretë radhazi në La Liga./Foto: Rayo Vallecano, Twitter/ S.Gjidiaj/