Faza e Parë/ Kjo nuk përbën një analizë të mirëfilltë…

Nga: Redaksia e ‘Sportiim.al’

Kampionati i 84-ët i Abissnet Superiore ecën nesër me ndeshjet e para të fazës së dytë. Ndonëse pritshmëritë për një edicion më cilësor janë të mëdha, teksa kthen ‘kokën pas’, dallohet qartë se arritjet e disa skuadrave në garë për fazën e parë (4 faza) kanë përmbushur objektivët e tyre.

Në vitrinë, derbi Partizani- Tirana 0-2 (2 tetor 2022) Kryeson Partizani. Befasia ka emrin Erzeni. Zhgënjimi vjen nga Laçi dhe Teuta.

Partizani (19):

Në fakt, Partizani i Tiranës i bëri më mirë detyrat e fazës numër një. Me Kolelën ndryshe nga sa performoi si teknik te Apolonia, skuadra e kuqe ia doli të imponohet e të grumbullojë 19 pikë. Skuadra tregoi stabilitet, prodhoi lojë ndërsa forcën e një klubi të madh e shfaqi dhe pas dështimit në derbi me bardheblutë. Humbi me Erzenin e Tiranën duke qenë pritës. Tipari dallues: Dominimi në fushë…

Erzeni (15):

E konsideruar skuadra e parë për tu rrëzuar. Por jo për shijakasit dhe stafin me Kapllanin në krye. Surprizoi (edhe pse e dominoi në 90′) në start teksa mundi në Durrës Vllazninë 1-0. Më pas të tjerat ranë në grackën e Erzenit si Laçi, Partizani, Tirana. Të gjitha i kaloi me një gol. E nis nesër në ‘Loro Boriçi’. Për tu parë faza e dytë.

Tirana (15):

Luan mirë dhe pikët janë. Veçse sindroma e luhatjeve me skuadra të caktuara, ul ndjeshëm sigurinë për të mbrojtur titullin. Xhixha në derbi por dhe në ndeshje të ndryshme e ngriti publikun bardheblu në ‘këmbë’. Mesfusha e ansambëlit të Orges Shehit, determinante. Për portën me Bekajn në versionin ‘klasik’, gjithëçka shkon mirë. Rivali i përjetshëm sportiv, Partizani 4 pikë larg. Java e dhjetë ofron si rival Kukësin. Këtë radhë, krerët zunë mend (shtëpiaken me Ezenin, javën e nëntë e zhvilluan në Elbasan); luajnë në “Selman Stërmasi”. Tirana luan më mirë kur ka mbështetje në tribuna…

Vllaznia (14):

Ndërsa sheh Vllazninë në fushë, shpesh mendon se ka më pak pikë nga ajo që ofron tabela. Ajo numëron 14 të tilla dhe mundësia për të ecur më lart vjen që nesër… Gjithësesi në ‘analytich’ e fazës së parë, vetëm fitorja ndaj Tiranës në kryeqytet mbush. Dëmtimet kanë shoqëruar duke zvogëluar alternativat për Josën por ‘luku’ i shkodranëve pritej të ishte ndryshe nga ai i “Aralaicës”.

Egnatia (12):

Skuadra ka kryer merkato me emra të rëndësishëm. E nisi keq dhe më pas u rehabilitua me pikë. E kapi paniku për të dytën herë dhe ndrroi trajnerin. Pas largimit të Tetovës, dora e Duros u ndje që në prologun ndaj Kukësit në transfertë. Malota me shokë japin garanci. Entuziasmi në shtëpi kërkon kontroll…

Kukësi (11):

Kush e pa Kukësin gjatë fazës organizative për nga emrat e afruar e konsideroi skuadër favorite. Shtuar këtu dhe faktin e rikthimit në ‘Kukës Arena’. Divorci me trajnerin Gega i shkoi mirë. “Polaku” Dobi ringjalli verilindorët me dy ‘Taipë’ dhe dy ‘torra’ si Giasi e Barbosa. Në shtëpi jo dhe aq produktiv. Impianti modern nuk pranon shishe si në rastin ndaj Carës së Partizanit. Gjici e tha: “Duam skuadrën jo huliganët”. Pritet rritje jo graduale në tabelë.

Bylis (11):

Skuadër që e qarkullon topin mjaft mirë. Me shkodranë, brazilianë, e afrikanë. Mundi Laçin në Kurbin, dhe shpartalloi Erzenin. Më pas skuadra çedoi. Në Shkodër meritoi notë maksimale. Në atë takim të humbur, e ‘përndoqën’ arbitrat. Nuk ka pjekurinë e skuadrave të mëdha por luan si ata…

Kastrioti (10):

U organizua me vonesë. Baza po ajo e sezonit të kaluar ndërsa në ‘bazë’ nisi të afrohej nga java e tretë. Ajo fitore në Kukës me vendasit për në vitrinë. Nuk i mungoi shpirti luftarak. Ai nuk i mjaftoi ndeshjen e fundit me Laçin (0-1). Faza e dytë pret krutanë të zotë e befasues. Te klubi i tyre thonë jo, por objektivi mbetet qëndrimi.

Laçi (8):

Zhgënjimi i madh i fazës së parë. Largoi një ‘tabor’ të tërë dhe afroi elementë me të kaluar të madhe. Borisjuk e Babatunde kanë veshur fanellat e Polonisë dhe Nigerisë. Shkurtaj, Alla ‘kampionë’ por në fushë u dukën pak. Sikundër dhe Akiniemi e Spahiu. Paralelisht bardhezinjtë çaluan jo pak në mbrojtje. Vukiçeviç u votëbesua deri në fund. Ndryshimi ka ardhur në javët e fundit. Nuk është rasti i parë që nis keq…

Teuta (7):

E habitëshme se si një skuadër që ka ruajtur më shumë se të gjitha simotrat boshtin, të shfaqet aq e ‘lodhur’ në fushë. Starti katastrofik, me teknikun Arapi që u largua për ti lënë vendin Shkëmbit në timon. Një fitore karakteri në Rrogozhinë nuk i mjaftoi ‘Djemëve të Detit’ për tu rikthyer. Humbja me Partizanin në shifra të thellë për aktin e fundit të 1/4-ve të kampionatit, e “prangosi” në vendin e fundit. Po tani? Të dielën pret Laçin.

(Në kllapa pikët e grumbulluara gjatë fazës së parë)

Klasifikimi i Abissnet Superiore pas fazës së parë 2022/23

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!