Benzema fiton ‘Topin e Artë’ 2022

  • Në Paris ‘poshtë’ kullës Eifel, në shtëpinë e ‘France Football’, francezi Karim Benzema fiton ‘Topin e Artë’ 2022.

Parisi u bë mbrëmjen e sotme dëshmitar i eventit madhështor të futbollit botëror, Ballon D’or ose ndryshe Topi i Artë ku u ndanë një seri çmimesh.

Edicioni i 66-të i këtij eventi dhuroi emocione të bukura të cilat kulmuan me shpalljen e Karim Benzema si fituesi i Topit të Artë 2022. Francezi i madrilenëve ishte protagonist me skuadrën e tij, fitues i La Liga-s dhe Champions League në Europë por dhe i Superkupës së Spanjës, Superkupës së Europës dhe Nations League me Francën.

Golashënuesi më i mirë në La Liga Santander me 27 realizime, i 15 golave në Champions dhe dy gola të tjerë në Superkupë për një total prej 44 golash me bluzen galaktike me numër 9-të.

Sulmuesi i Realit la prapa kandidaturat e Sadio Mane, Kevin De Bryne dhe Robert Levandovski

Lojtari i ri më i mirë (Çmimi ‘Kopa‘) u shpall futbollisti i Barcelonës, Gavi. 18 vjeçari zhvilloi një sezon të shkëlqyer me katalanasit, ndërsa Tibo Kurtua u vlerësua me çmimin ‘Jashin’ si portieri më i mirë i vitit pas pritjeve vendimtare me Realin e Madridit në Champions League dhe jo vetëm.

Mançester Siti u vlerësua si klubi i vitit, edhe pse Real Madrid fitoi Champions League.

Sakaq, Sadio Mane u nderua me çmimin “Socrates” në nder të një prej legjendave të futbollit brazilian që mban të njëjtin emër si dhe çmimi. Ky titull jepet për herë të parë si shenjë falënderimi për lojtarët që japin kontribut të veçantë në shoqëri.

Me një tjetër trofe të veçantë, Trofeun e ‘Gerd Myler’, u nderua Robert Levandovski, i cili u shfaq i emocionuar dhe i lumtur për vlerësimin me këtë çmim special.

Ndërkohë, fituesja e Topit të Artë për femra u shpall futbollistja spanjolle Aleksia Putejas e cila për të dyten herë rrëmben Topin e Artë. Spanjollja që luan për Barcelonën bëhet femra e parë që fiton këtë çmim në 2 vite të njëpasnjëshme./Përgatiti: Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!