Egnatia dy herë “mat”, Vllazninë

Egnatia sikundër edicionin e kaluar (faza e tretë) shkatërron në Rrogozhinë Vllazninë me të njëjtin rezultat 3-0.

Abissnet Superiore, Java 4: Egnatia – Vllaznia 3-0 (Delarxh 22′, Musta 24′, Camaj 57′)

Vllaznia është “viktima” e radhës e një skuadre që po surprizon me lojën dhe rezultatet e javëve të fundit. “Deja-Vu” në Rrogozhinë teksa Egnatia mposht Vllazninë me shifrat 3-0 duke përsëritur historinë e sezonit të shkuar.

Një pjesë e parë fantastike për vendasit të cilët gjejnë avantazhin që në minutën e 22′-të. Kombinimi perfekt i Mustës me Delarxh nxjerr jashtë loje mbrojtjen dhe portierin e Vllaznisë duke i dhënë goditjen e parë kuqebluve.

Vetëm 2 minuta më pas, sërish Emiliano Musta protagonist. Elbasanasi shfrytëzon një top të kthyer nga Zogoviç për të dyfishuar rezultatin dhe për të befasuar sërish shkodranët, të cilët kishin humbur idetë në këtë sfidë.

Duket sikur akti i dytë nis me një mentalitet ndryshe për Vllazninë, por rrogozhinasit nuk mjaftohen me 2 dhe finalizojnë golin e tretë. Kësaj radhe është Camaj që me kokë dërgon sferën në portën e mbrojtur nga Zogoviç.

Nuk ndryshojnë shifrat në minutat e mbetura edhe pse kuqeblutë e Josës kërkojnë me ngulm golin e nderit. Të padepërtueshëm në këtë 90-minutësh rrogozhinasit, të cilët marrin një tjetër 3-pikësh dhe barazojnë Vllazninë në renditje./S. Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!