Partizani ka Skukën, Egnatia njësohet me Delarzh

Partizani udhëheq me pikë të plota, del me fitore nga “Adush Muça”.

Abissnet Superiore, Java 3.
Bylis – Partizani 0-1 (Skuka 29′)

Partizani me Kolelën në krye ia ka dalë të marrë fitoren e tretë radhazi duke kryesuar klasifikimin me pikë të plota.

Skuadrës kryeqytetase i ka mjaftuar një gol nga i zakonshmi Skuka për të fiksuar fitoren ndaj ballshiotëve. Këmbëngulja e Partizanit u shpërblye në minutën e 29′-të kur një goditje dënimi e “pikturuar” si duhet dhe kombinimi perfekt i Da Silvës me Skukën, kaluan të kuqtë në avantazh.

Pas pësimit të golit, Bylis shtoi presingun por ishte sërish Partizani që u shfaq më rrezikshëm në portën e Haremit, i cili pas një përplasjeje në zonë u dëmtua duke i lënë vendin ish-portierit të Partizanit, Aldo Teqjas.

Kështu, Partizani merr të tretën fitore në të tretën javë të Abissnet Superiore, duke vijuar kryesimin i vetëm, ndërsa Bylis pëson humbjen e parë për këtë sezon.

Egnatia “fundos” Laçin

Abissnet Superiore, Java 3
Laçi – Egnatia 0-1 (Delarzh 46′)

Laçi ka pësuar humbjen e dyte radhazi dhe te parën ne fushën e tij. Një ndeshje pa shumë ide nga skuadra kurbinase dhe me një Egnatia të vendosur mirë. Rrogozhinasit u dukën më të motivuar për të marrë pikët e para të këtij edicioni dhe ia dolën ta bënin këtë gjë.

Pjesa e parë u mbyll me pak raste nga të dyja ekipet dhe me rrjeta të paprekura. Me nisjen e fraksionit të dytë, Delarzh surprizon bardhezinjtë dhe shënon duke kaluar në avantazh Egnatian kur gjendej vetëm për vetëm me portierin e kurbinasve.

Është Egnatia që shfaqet sërish rrezikshëm duke gjetur dhe një herë portën e Dajsinanit në minutën e 72′-të por goli i Delarzh anulohet për pozicion jashtë loje.

Në minutat e mbetura, Laçi kërkon golin e barazimit po pa pasur forcën dhe fantazinë e duhur. Falë edhe mbrojtjes vendase e sigurisë së portierit Sherri, Egnatia ruan deri në fund avantazhin.

Mbyllet kështu 0 me 1 për rrogozhinasit sfida mes Laçit dhe Egnatias. Kurbinasit pësojnë humbjen e dytë radhazi, ndërsa të besuarit e Edlir Tetovës marrin fitoren e parë në kampionat ndaj një rivali jo të lehtë./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!