Nis me barazim, Kukësi- Tirana me këmbë të “rënda”

Ceremonia e thjeshtë nga FSHF i paraprin takimit premierë të edicionit të ri 2022/23 në ‘Kukës Arena’

Abissnet Suoeriore, java e parë e edicinot të 84: Kukësi – Tirana 1-1 (Daci 3’/ Xhixha 57′)

Dy gola të bukur, emocione dhe rivalitet që në start. Ka nisur sot zyrtarisht sezoni 2022/2023 i Abissnet Superiore me sfidën e luajtur në “Kukës Arena” midis Kukësit dhe Tiranës.

Para se të dëgjohej bilbili i Enea Jorgjit për t’i dhënë startin ndeshjes dhe njëkohësisht kampionatit, në impiantin e ri u mbajt një ceremoni festive shoqëruar edhe nga futbollistë të vegjël kuksianë.

Siç është edhe tradita, topi i parë u shkelmua nga ish-futbollisti i Kukësit, Pëllumb Kërxhaliu për t’i dhënë të mbarën edicionit të ri dhe skuadrës verilindore.

Përballja nisi me ritëm. Madje që në minutën e tretë të takimit erdhi goli i parë i këtij edicioni. Klejdi Daci ndoqi mjaft mirë aksionin e skuadrës së tij dhe nuk mund të gabonte në dërgimin e topit në rrjetë.

Ky gol nuk demoralizoi aspak kampionët në fuqi të cilët vetëm sa e shtuan ritmin e sulmeve, por portieri i kuksjanëve u tregua mjaft i kujdesshëm për të mbyllur si duhet çdo aksion të bardhebluve në pjesën e parë.

Këmbëngulja e Tiranës do të shpërblehet në 45-minutëshin e dytë. Pas një këndoreje, sfera e goditur nga Redon Xhixha ndalet në rrjetë dhe në shifra rikthehet baraspesha.

Në pjesën e mbetur të sfidës, Kukësi duket sikur ka humbur busullën pas golit të pësuar dhe gabon shpesh në fushën e lojës. Në minutën e 71′-të autori i golit ndëshkon skuadrën e tij. Enea Jorgji nuk mendohet dy herë për t’i nxjerrë kartonin e kuq Dacit pasi shkaktoi faull dhe bëri një gjest antisportiv.

Nuk mungojnë as sendet e hedhura në fushë. Është Seferi që goditet në kokë nga tifozët e Kukësit por fatmirësisht pa pësuar asgjë. Takimi i parë i këtij sezoni mbyllet në barazim 1-1./S.Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!