Gega rekord Kombëtar, Merdanaj kampion Europe

Luiza Gega shkëlqen në Holandë duke thyer rekordin kombëtar të garës 3000 metra me pengesa.

Atletja shqiptare uli me 4.5 sekonda rekordin shqiptar në këtë disiplinë gjatë mitingut “FBK Games 2022” që u zhvillua në Hengelo të Holandës

Ajo arriti në finish, duke shënuar kohën 9:15.48, rreth 4.5 sekonda më pak se rekordi i mëparshëm në këtë disiplinë, 9:19.93, i vendosur po nga ajo, në Botërorin e 2019-ës në Doha.

Në garë, Gega doli e dyta pas ugandezes Peruth Chemutai(kampione olimpike), që fitoi me kohën 9:14.00, e cila është edhe kampione në olimpiadën e fundit që u mbajt në Tokio. Atletja jonë, jo vetëm që theu rekordin e 3000 m/p, por dha kohën më të mirë personale dhe me këto rezultate vazhdon të jetë sportistja më e mirë shqiptare.

Ndërkaq, Ernest Merdanaj shpallet Kampion Europe në peshën 55 kg. Taekwondo-ja shqiptare arrin një rezultat të shkëlqyer “Multi Europian Game G2” , eveniment ky që është zhvilluar në Sofie të Bullgarisë.

Merdanaj mundi të fitonte medaljen e artë, pas takimeve me kundërshtarë spanjollë e francezë, të cilët renditen në top 3-shen e listës botërore.Merita i shkon sportistit, por edhe trajneres së tij që është edhe drejtuese e ekipit Kombëtar të FSHT-së, Znj. Arjola Kasaj.

Kjo është medalja e tretë në harkun e dy muajve për sportistin e ri të talentuar, pas triumfeve në “Belgium Open G2” dhe “Swedish Open G2”. Ernest Merdanaj vazhdon përgatitjet për Kampionatin Botëror të muajit gusht nga ku shpreson të kthehet me rezultat. /KOKSH/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!