Laçi në histori, për herë të parë nënkampion i vendit

Bardhezinjtë sigurojnë matematlisht pjesëmarrjen për herë të 9-të në kompeticionet e UEFA-s.

Abissnet Superiore,java e 33-të Laçi- Kastrioti 4-1 (Akiniemi 40’, J. Shehu 43’, Qato 63’, Zarubica 89’ / Ajazi 38’ pen)

Me tri javë nga fundi i Abissnet Superiore, skuadra e teknikut Shpëtim Duro teksa mundi Kastriotin në shifra 4-1 siguroi një biletë europane. Për më tepër duke zyrtarizuar vendin e dytë çka për kurbinasit përbën një arritje historike.

Ndeshja ofroi dy skuadra me kërkesë të madhe në fushë ndërsa pas disa minutave ‘studimi’ skuadra e Duros nis të rrezikojë portën e Salit. Megjithatë goli i parë do të shënohet nga Kastrioti. Ai do të vijë pas një penalltite të shndërruar në gol nga Spartak Ajazi në të 38-ën.

Reagimi i të zotëve të shtëpisë i furishëm pasi në harkun e 5 minutave laçianët fillimisht barazojnë me një gol të Akiniemit ndërsa fill pas tij, Julian Shehu, pas një aksioni spektakolar të Ardit Deliut shënon golin e dytë.

E dyta nis sërish me lojën diktuese të Laçit. E ndërsa mbushet 1 orë lojë, Emiljano Çela hedh në fushë tre titullarët Hasani, Kaina dhe Karakaçi.Loja nis e balancohet por goli do të vijë sërish nga kahu i bardhezinjëve.

Duro i dha mundësi për tu aktivizuar lojtarëve si Spahiu, Zulfiu, Zarubica e Qato. Ishte pikërisht mesfushori kuçovar Klinti Qato ai që në të 63′-ën realizon një supergol nga afro 30 metra.

Dita e lojës së bukur për skuadrën e Duros vijon me Dejan Zarubicën i cili realizon edhe golin e 4-ët në të 89′-ën. Topi i devijuar nga këndorja shkon te malazezi 29 vjeçar i cili me një goditje potente ballore nga 15 metra depoziton në rrjetë./Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!