Finalja e CL, Tomorri: Produkt i 5 viteve aplikime dhe lobime nga FSHF

Në 25 maj, si kurrë më parë do të jetë Tirana që do të presë një nga eventet më të madh futbollistike, për shkak se në Air Albania do të luhet finalja e Conference League. Vendi ynë fitoi të drejtën e organizimit të finales së parë në histori të këtij kompeticioni që mori jetë verën e shkuar, për të përfunduar rrugëtimin e tij në folenë kuqezi. Për Supersport Drejtuesi i Projektit të UECL, Kejdi Tomori tregon se insistimi i Federatës Shqiptare të Futbollit ka sjellë organizimin e një finaleje historike në vendin tonë.

“Ka 5 vite që kemi aplikuar për Superkupën për dy sezone dhe për Conference League, pasi ndryshe nga më parë UEFA ka një standard tjetër ku duhet një garë apo një tender ku marrin pjesë shumë shtete. Kjo finale nuk do të ishte bërë e mundur pa lobimin e FSHF, pasi shumë gjëra nuk ishin fiks nga standardet e kërkuara nga UEFA”.

Përgatitjet për të përshtatur gjithçka sipas standardeve të UEFA-s ka nisur prej kohësh. Çdo ditë në ambientet e Air Albania janë të angazhuar shumë persona, të cilët po punojnë me intensitet për të çuar në parametra perfekt çdo element të stadiumit.“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Puna ka nisur të jetë me ritme të larta, duke nisur nga fusha, Arsyeja pse u mbyll ishte fusha pasi u mor në dorëzim nga ekspertët e UEFA-s. Në momentin që e morën fushën, tapeti ishte në kategorinë 1 “yll” e gjysmë, nga pesë të mundshëm. Tani fusha është me 4 yje e gjysmë”.

Ndryshimet do të përfshijnë dhe zonën VIP apo sektorë të tjerë të stadiumit, ku po modifikohet pjesa e medias dhe zona ku do të montohen studiot televizive. Po ashtu do të montohen dhe dy ekrane gjigande në dy këndet e stadiumit. “UEFA ka sjell një plan të detajuar për lëvizjen e stolave. Në zonën e mediave do hiqen ulëset poshtë saj pasi do të kthehet e gjithë zona në një tribunë për median. Në zonën ku qëndrojnë tifozët udhëtues do të largohen ulëset për tu përshtatur në studio televizive në mënyrë që të përjetohen emocionet nga fusha”.

Tifozeritë e të dyja skuadrave do të kenë nga 4 mijë bileta në dispozicion, ndërsa në anën tjetër, pjesa tjetër do të shitet për tifozët e thjeshtë. Prioritet do të kenë pa diskutim tifozët shqiptarë, të cilët duhet të nxitojnë për të siguruar biletat vetëm përmes portalit të UEFA-s. “Në dy këndet pas porte do jenë ekipet tifozët e skuadrave. Në cepin në jug do jetë ekipi pritës, ndërsa ekipi udhëtues në anën tjetër me nga katër mijë bileta. Për pjesën e publikut të thjeshtë do jenë rreth 7000 bileta dhe kërkesa ka qenë afro 13 mijë kërkesa. E vetmja mënyrë për të marrë bileta është përmes portalit të UEFA. Është hera e parë që në Shqipëri përdoret sistemi elektronik 100%”.

Fokusi i mbarë botës do të jetë në Shqipëri për finalen e parë dhe historike të Conference League, ndaj po merren masat që gjithçka të shkojë në perfeksion, teksa do të jenë të angazhuar më shumë se 2000 individë në sigurinë e kësaj ndeshje. Në këtë takim do të ketë dhe një risi në sistemin e sigurisë. Në disa prej rrugëve kryesore do të kufizohet lëvizja, ndërsa do të ketë kontroll të imtësisëhm për çdo automjet që do të afrohet pranë stadiumit. “Për një siguri të madhe në stadium janë të anagzhuar 1500 policë dhe mbi 600 stjuardë, ndihma e shpejtë, zjarrfikësit, të cilët kanë bërë një trajnim me specialistët e UEFA-s. Diçka e tillë do të na shërbejë dhe në të ardhmen e do na ndihmojë në organizimet në eventët tona me këtë trajnim”.

Një element i rëndësishëm janë dhe vullnetarët, të cilët janë përzgjedhur nga vendi ynë, pavarësisht kërkesës së lartë nga jashtë Shqipërisë. Një pjesë e tyre do të kenë një eksperiencë të jashtëzakonshme, pasi do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes dhe atë të dhënies së trofeut. “Për finalen do të ketë rreth 400 vullnetarë. Çudia është që shumë kërkesa kanë ardhur nga jashtë vendit tonë. Duan që të vijnë këtu e të ndihmojnë, por ne kemi preferuar që t’i kemi nga Shqipëria. 150 prej tyre do të jenë në fushë në ceremoninë e hapjes dhe me dhënien e Kupës”.

Përgatitjet për finalen do të nisin disa ditë para ndeshjes, por në 24 orët e fundit para zhvillimit të saj, çdo ambient përreth do të mbyllet për të garantuar mbarëvajtjen e plotë të sfidës.“Finalja fillon shumë më para, me UEFA-n që do të vijë 10 ditë para. Do të nisë një rrethim pjesor i stadiumit. Do lejohen vetëm porta të veçanta për bizneset, ndërsa nga ora 22:00 një ditë para nuk do lejohen më as bizneset dhe asnjë angazhim tjetër në këtë perimetër”.

UEFA do të vendoset për 10 ditë në Tiranë te Pallati i Kongreseve, që do të jetë dhe pika kryesore jashtë stadiumit e qeverisë evropiane të futbollit, e që do të ketë disa funksione .“Pallati i Kogreseve do të jetë me qira për 12 ditë. Këtu do të jetë qendra e vullnetarëve, qendra e akreditimeve, zyrat e UEFA-s. Para dhe pas ndeshjes do të shërbejë edhe si zonë kateringu për afro —700 të ftuar”.

Ata që nuk do të kenë mundësinë për të ndjekur ndeshjen nga stadiumi, do të kenë mundësinë për të përjetuar emocionet në dy pika të Tiranës, ndërsa e sigurt do të jetë se atmosfera do të ndjehet në çdo cep. “Fan Zonat do të jenë të ndara për dy ekipet finaliste. Në jug të Tiranës, te diga ku do jenë tifozët e ekipit vendas. Dhe në pedonale, pas Ministrisë së Brendshme tifozët e ekipit udhëtues. Do te ketë katering dhe shërbim. Po ashtu mund të ketë dhe evente të tjera për këto fan zona që do shërbejnë dhe për tifozët që nuk do të kenë bileta”.

Krahas dy fan zonave do të ketë aktivitet dhe në sheshin Skënderbej. Për më shumë se tre ditë, Tirana do të jetë qendra më e madhe e futbollit në Evropë e jo vetëm. Të gjithë duhet të jenë gati për të përjetuar emocionet e kësaj finaleje historike që troket në vendin tonë.(marrë nga FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!